Lulzim Basha: “Rama nga mëngjesi në darkë rri me 5 oligarkë, vetëm nuk fle me ta”

Lideri demokrat, Lulzim Basha, përsëriti sot se qeveria e re demokratike do të anulojë koncesionet e PPP-të korruptive.

Ai tha se janë 5 oligarkë në vend që kanë zaptuar gjithë sektorët, ndaj nuk vijnë investitorët e huaj në vend. “Rama nga mëngjesi në darkë rri me 5 oligarkë, vetëm nuk fle me ta.

Ata vendosin për gjithçka”, tha Basha.

Ai premtoi se “një prej vendimeve të para do të jetë anullimi i kontratave jo vetëm i dy oligarkëve, por të gjithë oligarkëve dhe rikthimi këtyre parave në politika që nxisin punësimin”.

Më tej ai u ndal tek mungesa e investimeve të huaja.

“Investitorët e huaj sot firmosin kontratën, nesër u dalin në rrugë dhe i rrahin dhe i përcjellin andej nga kanë ardhur. Në Shqipëri taksa për fitimin e koorporatave është 6 përqind më e lartë se sa në Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi, madje dhe se në Hungari. Pse duhet të vijnë në Shqipëri kur u duhet të paguajnë më shumë taksa se në këto vende”, tha Basha.

Duke u ndalur tek punëtorët e kualifikuar ai tha se shteti s’ka bërë asgjë në këtë drejtim, vetëm fjalë.

“Çfarë ka bërë ky shtet, kjo qeveri, që të ju garantojë investitorëve të huaj, njërëz të kualifikuar për fushat që ata kërkojnë, në fushat e teknologjisë së informacionit? Asnjë përparim domethënës! Pse? Sepse fakulteti i Teknologjisë së informacionit në Tiranë, Durrës, Elbasan, është në kushte primitive. Mësohet kompjuteri me dërrasë të zezë dhe shkumës. Katastrofë! Inxhinierët e ardhshëm të teknologjisë së informacionit I marrin mësimet me dërrasë të zezë e shkumës, ndërkohë që Europa dhe rajoni po I kalon fëmijët e shkollës fillore me tablet”, u shpreh Basha.

Loading...