Kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, shprehet se “jemi mësuar me pamjet e spektaklit që ofron Himara në bregun përballë, Salento – Italia. Sidomos javët e fundit kur temperaturat kanë rënë dhe madhështia e maleve tona është aq e pranishme tek italianët përballë, që mahniten me këtë hijeshi krenare dhe të veçantë të Himarës sonë”.
“Por mendoj se kaq bukur me dëborë s’mund të jetë dukur Himara jonë në Otranto apo në Lecce… Luigi Marzo vazhdon të na përkëdhelë jo vetëm ne, por të gjithë publikun e gjerë italian me këto pamje fantastike të Himarës ndryshe, Himarës me dëborë”, thekson Goro.
Kryebashkiaku i Himarës thotë se “pika më e afërt dhe padyshim më e veçantë për të krijuar një imazh të bukur për Shqipërinë. Himara jonë, e së Nesërmes kaq pranë Europës. Një dallgë larg…!”.
Edhe më parë fotografi italian Luigi Marzo ka realizuar fotografi mahintëse të Himarës, ndër të cilat përmendim ato të perëndimit të diellit.
Me një bregdet të mrekullueshëm dhe male të larta, Himara vijon të tërheqë vëmendjen e turistëve të shumtë, ku gjatë vitit 2018 shënoi një rritje prej 20% të tyre.
Himara shquhet për plazhet e saj shumë të bukur, shumica me zalle, por edhe me rërë të bardhë e të imët. Spillea, është plazhi qendror i Himarës, me shumë vizitorë në verë, më tutje janë Prino, Potami, Filikuri, më në jug Llamani, Qeparoi, Borshi, brigjet e Piqernit (Buneci), Lukova dhe Kakomea.
Turisti në zonën e Himarës gjen det e qiell të pastër, brigje ranore të ngulura në shkëmb, objekte kulturore dhe historike, monumente të natyrës dhe një kulinari të veçantë detare. Himara është perla detare e Shqipërisë./ATSH