Është një befasi e këndshme për këdo që viziton për herë të parë bregun.
Sapo kalon Qafën e Llogorasë, vështrimi të mrekullohet me një pamje magjepsëse që Zoti ia ka dhënë me bujari.
Edhe sytë, të lodhur me sa duket nga jeta e përditshme, monotone dhe me hapësira të kufizuara në qendrat urbane, sikur qetësohen nga një pamje e tillë që vjen kaq papritur dhe padashur e kupton se çfarë përfiton nga kjo magji me një shtrirje kaq të gjerë.
Shumë emërtime janë vënë dhe ndoshta s‘do të mungojnë as në të ardhmen për të shprehur ndjesitë nga një perceptim i tillë.
Nuk besoj se do arrijnë ta bëjnë ndonjëherë me saktësi këtë, për të vetmen arsye se sa herë që ndeshesh me panoramën në fjalë, ajo duket e re dhe e freskët edhe për kë është mësuar t‘i rrahë shpesh këto rrugë; ndoshta ngaqë vazhdimisht zbulohen detaje dhe motive të reja.
Realisht, syri nuk ngopet me atë që shikon dhe e ka të vështirë të përcjellë ndjesitë e përftuara. Këtu majat e maleve të thepisura duken sikur duan të ngjiten përpjetë qiellit, pastaj malet, të ashpra siç janë, të gjithë së bashku të mbështetur në sup të njëri-tjetrit, zbresin poshtë duke “u zbutur” deri në buzën e ujit përjetësisht. Rruga gjarpëron në një terren malor që humbet të shumtën e herës në gjelbërimin e ullinjve.
Bregu i detit, i thyer e shkëmbor, me plazhe e gjire të shumta, laget nga uji i kripur e i kristaltë që i jep ngjyrime të çuditshme nga rrezatimi diellor harmonizuar me florën dhe faunën.
Ullinjtë, portokallet, limonët, fiqtë, arrat, lulet e shumë të tjera i japin një aromë joshëse, që vështirë se mund të gjendet në anë të tjera.
Jo vetëm këto, por edhe trashëgimia historike, legjendat, mitet, monumentet etj., janë po aq të pasura dhe me vlera të çmuara, saqë Moikom Zeqo, duke iu referuar arkeologut francez, Leon Rei, thotë: “…Nëse Shqipëria ka me se të mburret, ajo në radhë të parë duhet të mburret me historinë e Himarës…”. Por fatkeqësisht, studimet në këtë fushë kanë qenë të pakta e të cunguara dhe politika e ka përdorur Himarën për qëllimet e saj. Duke qenë zonë që mbart të tilla vlera, Himara është kthyer në një bregdet tërheqës për turizëm, është e pëlqyer dhe frekuentuar së tepërmi këto vitet e fundit falë edhe investimeve të bëra në infrastrukturë, kryesisht në rrugë, që kanë lehtësuar së shumti lëvizjen e mjeteve e të njerëzve.
Tani që sezoni turistik është në mbyllje, secili bën bilancet e veta e mendon për më tej, për të ardhmen natyrisht, që kërkon investime më të mëdha e më cilësore për të dalë në këtë treg gjithnjë e më konkurrues. Më së tepërmi duhet ta bëjnë këtë institucionet shtetërore të specializuara për këtë punë, që e kanë detyrim ligjor, me platformë e strategji që rrjedhin prej programeve qeverisëse, duke e konsideruar turizmin si degë prioritare në zhvillimin e vendit dhe mos të reduktohen, siç ka ndodhur rëndom, në agjenci turistike të interesuara për numrin e turistëve që hyjnë dhe dalin nga Shqipëria.
Sot shqiptarët janë më të shëtiturit nëpër botë, për arsye nga më të ndryshmet, dhe informacioni që marrin është i bollshëm falë edhe teknologjive të avancuara që ekzistojnë dhe kuptohet që pretendimet e tyre e në veçanti të të huajve janë shumë më të mëdha kundrejt asaj çka u ofrohet. Problematika është e gjerë dhe komplekse, por prova e seriozitetit duket ndaj qëndrimit që mbahet ndaj asaj çfarë ka penguar ecurinë më të mirë të gjërave. Iniciativa private, jo pa vështirësi, ka mundur të bëjë diçka, por ajo përballet me pengesa të mëdha burokratike, nga një konkurrencë e pandershme, nga politika selektive që frenojnë një zhvillim harmonik e cilësor.
Vunoi dhe plazhi i tij, Jali, janë pjesë e trevës së jugut, aq e lakmuar për bukuritë e veçanta që ka. Fshati ka një shtrirje në rrëzë të malit Mjegullosh, çka thotë shumë nga emërtimi që mbart. Jo më kot ky fshat është konsideruar dhe si qytet për vetë strukturën e ndërtimit të tij, me një arkitekturë unike të bukur e solide që Eduard Lir, gjatë qëndrimit në Vuno, mysafir në shtëpinë e Kasnecëve, e krahason në kujtimet e tij me “palazzina”-t e shumë qyteteve provinciale të Italisë. Ka një rrjet të gjerë kanalizimesh e sokakësh të ndërtuar me kalldrëm që quhen “gaderëm” dhe që ngjasojnë shumë me Gjirokastrën. Puset, e në tërësi teknikat e ndërtimit, besoj se përbëjnë një objekt studimi, sidomos po të kemi parasysh se edhe këtu, si në të gjithë fshatrat e tjerë të bregut, shtëpitë janë të grupuara, me disa banesa të fortifikuara, si dhe ato me tip kulle që përfaqësojnë monumente historike. Harqet dhe qemerët janë të dukshëm në faqet e jashtme të dyerve e dritareve, të punuara me mjeshtëri e të tëra këto krijojnë një ansambël unik në llojin e vet. Të jepet përshtypja e një fortese, që e imagjinuar në të kaluarën e saj historike, të jep të kuptosh edhe më mirë qëndresën që i është dashur të bëjë popullsisë nga sulmet e pushtuesve dhe piratëve, me synime sundimi e plaçkitjeje.
Vunjotësit kanë qenë të ndjeshëm dhe aktivë ndaj ngjarjeve historike si brenda, ashtu edhe jashtë vendit, dhe nuk i kanë përcjellë ato me indiferentizëm, përkundrazi. Kapedan Odhise Kasneci ka qenë anëtar dhe veprimtar i shquar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit; kapedan Kristo Bega u vra në Mesollongji së bashku me 40 himarjotë në fillim të revolucionit grek; Kostandin Kasneci ka qenë gjeneral i shquar i Austro-Hungarisë; dr.Simonidhi ka qenë mjek personal i Mbretit Zog dhe deputet në Parlamentin Shqiptar të atyre viteve; dhe një djalë nga Vunoi ka qenë në truprojën e Bajronit. Pikërisht në Jal u formua çeta e parë e bregut dhe Vunjotësit sakrifikuan jo pak për lirinë, por plot 21 dëshmorë, prej të cilëve 4 janë heronj të popullit me Zaho Koken si simbol të tyre.
Nga kjo luftë fshati u dogj dy herë nga gjermanët dhe rrënojat e gjurmët e saj janë të dukshme edhe sot. Komunizmi s‘bëri asgjë për t‘i rindërtuar ato, me gjithë premtimet e shumta që dha. Ato revokojnë dhe bëjnë apel… Në vitet ‘90, kur filluan proceset demokratike, ata ishin ndër të parët që i mbështetën. Jo vetëm kaq, por Vunoi është vendi i njerëzve të dijes, i intelektualëve të shquar që i kanë dhënë shumë kulturës kombëtare. Vargjet e këngës “Të penës e të dyfekut /aman trima kapedanë”, kanë një simbolikë të fuqishme dhe rrezatojnë shumë më gjerë se këto treva. Shkolla këtu ka qenë shumë e hershme dhe dihet mirë ndikimi që ka pasur.
Në vitet ‘30 Zogu ngriti një internat për vajza nga e gjithë Shqipëria, që mësonin profesione të ndryshme. Shkolla e fshatit është një monument kulture, dëshmi e një trashëgimie dhe përvoje për t‘u admiruar, me një staf pedagogjik të zgjedhur, që ndër vite kanë punuar me pretendime e kërkesa për të dalë nga bankat e saj gjenerata të tërë nxënësish me nivel arsimor të lartë, të cilët i kanë dhënë vendit inxhinierë, doktorë, oficerë, agronomë, pedagogë, shkrimtarë, poetë, regjisorë, aktorë etj. Janë me emër e të njohur dhe i kanë bërë e i bëjnë nder krahinës dhe në tërësi gjithë kulturës sonë kombëtare me protagonizmin e tyre.
Shkrimtari dhe poeti Odhise Grillo, autor i shumë librave, veçanërisht për fëmijë; komediografi Spiro Comorra; regjisori dhe kineasti Dhimitër Anagnosti, i njohur për filmat e tij me nivel të lartë artistik, disa prej të cilëve e kanë marrë temën dhe janë xhiruar në Vuno; aktori Robert Ndrenika është një figurë madhore e teatrit dhe kinematografisë tonë, me një galeri të pasur rolesh dhe karakteresh e shumë të tjerë.
Leo Gjika, njeri i ditur dhe i njohur që ka dhënë një kontribut të shquar në fushën e arsimit dhe të kulturës në këtë krahinë, më tregon se në Parlamentin grek, 4 deputetë kanë qenë me origjinë nga Vunoi këto vitet e fundit dhe në vitet ‘30 rektori i Universitetit të Athinës ka qenë me prejardhje po këndej.
Vunoi ka rreth 25 kisha që s‘janë pak për një fshat të vogël siç është ky dhe Shën Spiridhoni e Shën Mëri Mesodhi janë ndërtuar respektivisht më 1778 dhe 1783, domethënë gati dy shekuj e ca më parë, por që janë të dëmtuara nga marrëzitë e shumta që bëri komunizmi. Afreske, shenjtorë e punime të tjera me vlerë nga autorë të panjohur janë të masakruara dhe të krijojnë një ndjesi të dhimbshme e nuk të shlyhen nga kujtesa kollaj. Shën Spiridhoni, ndonëse është restauruar dy herë, po kaq edhe është djegur nga njerëz të mbrapshtë dhe meskinë.
Është shumë interesante dhe e rrallë njëkohësisht, por mjaft kuptimplote, që kisha me shkollën kanë qenë së bashku dhe e kanë respektuar shumë njëra-tjetrën e për kuriozitetin e lexuesit, në kambanelin e saj është mbjellë një qiparis në lartësinë 4-5 metra, që s‘ka kurrfarë lidhje me tokën e që vegjeton prej shumë vitesh. Çuditërisht nuk rritet, por as edhe nuk thahet, dhe siç duan të thonë, simbolizon vazhdimësinë e jetës. Një rast i rrallë që i ka qëndruar kohës.
E rrallë mund të quhet edhe që sot në Vuno nuk ka asnjë prift. Në të dalë të Vunoit, në një pikë dominante që quhet Skutara, në një mjedis pastoral me shkurrnaja dhe lisa të shumtë, ndodhet një kishë, Shën Mëri e quajnë, dhe në fakt ka qenë manastir, por që nuk u ka shpëtuar dëmtimeve, së bashku me ambientet rreth saj.
Stefo Bala, një banor i këtyre anëve, më tregon sipas gojëdhënave nga gjyshja e tij, se këtu ka qenë një qendër banimi e hershme, gjurmët e së cilës janë të dukshme edhe sot. Të ardhur nga Shkodra për shkaqe të caktuara historike, u vendosën këtu dhe ndërtuan kishën e tyre. Kisha ka qenë katolike, siç dallohet lehtë nga struktura e saj, por që në vitet e mëvonshme ka pësuar ndryshime dhe është kthyer në ortodokse. Në të, Shën Mëria është pikturuar me krahë, në një sfond bojëqielli, që të jep përshtypjen se është në fluturim, çka flet shumë. Por më interesante është se në një nga faqet e brendshme të murit të kishës, ka një shtresë suvaje të hollë por të ngrirë. Poshtë saj gjendet një shkrim në greqishten të vjetër, që nuk jam në gjendje ta përkthej.
Të paktën emri është i lexueshëm dhe quhet Sofi. Me sa duket është emri i ndonjë murgeshe që ka banuar aty. Ndoshta ka dhe shkrime të tjera, por u takon studiuesve t‘i zbulojnë e të merren me to. Një kishë tjetër veneciane, që ka një vjetërsi jo të vogël por gati 700-vjeçare, ndodhet në këmbët e taborit të dikurshëm, në Jal, domethënë në shtëpinë e ushtarakëve të sotëm, gjurmët e së cilës duken nga ajo çfarë ka mbetur. Interesimi i studiuesve të huaj për të është rritur ndjeshëm këto kohët e fundit. Ata e kërkojnë atë nëpërmjet hartave që kanë dhe e gjejnë saktësisht vendndodhjen e saj.
Këto janë dëshmi dhe monumente me vlera historike, e pse jo dhe më gjerë, që s‘duhen lënë në harresë dhe që kërkojnë kujdesin e dorën e shtetit, sepse turistët duhen orientuar dhe informuar për këto pasuri të kulturës sonë. Fronti i Luftës Italo-Greke ka qenë pikërisht këtu në Skutara dhe dihet tashmë përfundimi i saj… Për të rënët u ngrit një monument nga italianët në Jonostath, por që shteti komunist e prishi. Dëshmitarë të kësaj lufte janë gjallë edhe sot, dhe tregimet e tyre janë të dhimbshme, siç janë për gjithë luftërat në tërësi. Komunizmi i konsideronte agresionet ndaj vendit të mundshme, prandaj edhe ndërtuan rrugë e montuan qendra zjarri në këto maja malesh… Çfarë paradokse! Prej këndej pamjet si kudo janë të mahnitshme dhe besoj e shpresoj se nuk do të jetë e largët dita kur kjo do të kthehet në një pikë të lakmueshme turistike dhe pelegrinazhi. Të shpresojmë se do të ndodhë kështu.
Vunoi ndahet nga deti me një plantacion ullinjsh dhe pemësh të tjera frutore, që përbën një pasuri të madhe.
Dora dhe mendja e tyre ka bërë mrekullira këtu, por fatkeqësisht çdo gjë është lënë në mëshirë të fatit. Për ullirin kujtohen sa herë vjen sezoni dhe vjelja e tij bëhet në mënyrë barbare nga njerëz të ardhur që s‘kanë përvojë në mbledhjen e tij, ndërsa tradita e përpunimit të fikut, aq e njohur, pothuajse ka humbur fare. 200 rrënjë ullinj u shkatërruan nga rruga e re që po bëhet dhe të tjerët do pësojnë fatin e tyre nga mungesa e kujdesit. Jali të mrekullon mbas një gjelbërimi dhe këngës së zhurmshme e monotone të gjinkallave që ke lënë pas dhe sapo del në buzë të fushës, të shfaqet papritur kaltërsia e pafund e detit dhe një plazh gati ekzotik.
Jo më kot Jali është konsideruar si një nga plazhet më të pëlqyer e të frekuentuar të Jonit. Dhe jo më kot, por ngaqë ka diçka që s‘e kanë plazhet e tjerë: shtrirjen, relievin e rrethuar nga një bimësi e dendur me dafina, fsaka, fqine, trëndafil i egër, agne, sqine e shumë bimë të tjera me një aromë që s‘ngopesh dot. Plazhi nuk është më shumë se 300 metra, por i vendosur në një gji është i ekspozuar shumë mirë ndaj diellit dhe detit e i mbrojtur nga erërat e ftohta. Nga studimet e bëra, parametrat e këtij plazhi janë shumë më të mira se të gjithë plazheve të tjerë: përqindja e lartë e jodit dhe e kripës në det, me një dendësi 37% për litër, lagështira e ulët etj. Rëra është kokrrizore, shumë kurative nga efektet që ka dhe veçanërisht antistresuese, që i bën mirë kujtdo në këto kohë të trazuara.
Doktorët e vjetër i rekomandonin këto banja në muajin gusht, por s‘kam mundur të kuptoj motivet pse e bënin pikërisht në këtë periudhë. Megjithatë janë provuar realisht këshillat e tyre te të sëmurët që kanë ardhur me barelë dhe janë ngjitur me këmbët e tyre në brinjën e saj. Çfarë mrekullie! Pastaj vjen deti i pastër e kaltërosh, përgjithësisht i qetë dhe i nxehtë, që përkëdhel rërën dhe bregun, por hera herës edhe “inatoset” e përplaset nëpër shkëmbinj, duke u dhënë atyre me shkumbëzimin që bën një pamje tërheqëse. Krejt zona duket si një tablo magjike, që ta ka ënda ta kundrosh. I vetmi investim serioz këtu është bërë në vitet ‘70 nga Andon Sheti, ish-drejtor i Drejtorisë së Zbulimit në atë kohë, i persekutuar nga regjimi komunist, nga i cili e ka marrë dhe emrin Shtëpia e Ushtarakëve sot. Vetëm një rrugë për mushka ka pasur.
Por ai hapi një të re, që është aktualisht e që po rikonstruktohet tërësisht, dhe i vazhdoi punimet për një kohë të gjatë në kërkim të ujit të pijshëm, aq i nevojshëm dhe i domosdoshëm, por që fatkeqësisht nuk doli kurrë. Edhe tani projektet s‘kanë munguar, por si thonë në këto anë, ra shiu dhe e piu dheu. Uji është një nevojë jetike, utilitare dhe për një pushues a për këdo tjetër që merr rrugën në ditët përvëluese të verës, është një mangësi serioze që duhet zgjidhur urgjent. Mbas viteve ‘90 shumë familje morën rrugën e kurbetit dhe kjo dukuri nuk është e re për këto anë. Një valë e parë dhe e madhe ka ndodhur në fillim të shekullit të kaluar. Ata kanë emigruar në gjithë botën, por më së shumti në Amerikë.
Por vendin e tyre s‘e harrojnë kurrë e i djeg malli për të… S‘kanë faj, guri është i dashur. Shumë nga ata që emigruan në vitet ‘90 me kursimet e bëra, me djersë e mundime, lot e dhimbje, u kthyen në vendlindjen e tyre për të bërë diçka për vete dhe për të tjerët, në tokat e tyre, e më së shumti edhe me ndonjë leje ndërtimi të siguruar mbas shumë peripecish nëpër zyrat e shtetit të tyre, që nuk është aq e lehtë për ta marrë. Por shteti i tyre i vrau pabesisht… Në mëngjes herët, gati dy vjet më parë, fadromat e ndërtimores rrafshuan disa godina, pa mundur të nxjerrin as plaçkat e tyre dhe bashkë me shumë gjëra të tjera vranë mundin, vranë ëndrrën, vranë shpresën… Këto pamje të Jalit që të ofrohen janë vërtet tronditëse dhe banorët e këtushëm e krahasojnë me Bagdadin.
Por edhe për ne që i kemi të freskëta nga kronikat televizive që na jepen nga inkursionet ajrore, të cilat bëhen në pika të nxehta të globit dhe çfarë pasojash lënë mbrapa, nuk përbëjnë ndonjë ndryshim të madh. Nuk e kuptoj pse marrëzitë në këtë vend s‘kanë të sosur. Këto prishje edhe kështu siç janë bërë dhe çfarëdo motivi të kenë pasur, kanë qenë selektive dhe me një prapavijë të dyshimtë. Kjo s‘ishte gjë e mirë. Mbas këtyre që u prishën, disa të tjera të reja janë ndërtuar dhe kjo e bën më të frikshme këtë gjë. Xhelozira, inate, konkurrencë rrënuese. Vështirë t‘i vesh një emër. Të gjithë janë të mërzitur dhe kanë të drejtë. Dhimbje dhe trishtim ndiejmë edhe ne e kushdo tjetër që vjen me qëllimin e mirë për të kaluar një ditë të këndshme. Sadopak mundohemi t‘i qetësojmë dhe t‘u japim shpresë se ndoshta në këtë vend do ketë dhe drejtësi, por fatkeqësisht përvojat s‘janë shumë të mira dhe siç thonë, në drejtësi bëhen padrejtësitë më të mëdha. Ndoshta e drejta këtë radhë është me ta.
Andon Koka, një ish-doktor në ish-Gjermaninë Lindore, i cili kishte bërë një investim modest në tokën e tij, më shumë preferon të heshtë kur mundohem sadopak ta lehtësoj në këtë dhimbje. Është vërtet një dhimbje e madhe mundimi që ai dhe fëmijët e tij bënë kaq vite në Greqi dhe ato mijëra euro të kursyera dhe të investuara të përfundojnë në këtë mënyrë… Por besimin ende s‘e ka humbur… Diçka do të bëhet. Banka Botërore është në të drejtën e tyre. Të krijohet përshtypja mbas asaj katrahure që është bërë, se këtu me të vërtetë shteti ka pasur projekte madhore për të bërë dhe që me sa duket s‘u premtonte koha për t‘i realizuar pa prishur këto ndërtime që tashmë duken qesharake kur kanë kaluar dy vjet dhe gërmadhat janë lënë në vendin e tyre.
Mirë dëmin që shkaktuan dhe që është i pandreqshëm, por të paktën të hiqnin materialet inerte që i kanë lënë në mes të shesheve dhe dëmtojnë shumë mjedisin. Por ndotja e mjedisit është një dukuri që të shqetëson. Plehra nga më të ndryshmet, që hera-herës mund edhe të të përplasen në fytyrë nga erërat që fryjnë, të japin një shije të hidhur. Këtu s‘ka kurrfarë kujdesi as edhe nga ata që kanë ngritur bizneset e tyre e së paku të joshin klientelën me pastërtinë. Edhe diku që grumbullohen plehrat, lihen me ditë të tëra dhe dihen efektet që përftohen nga temperaturat e larta. Kryesisht produktet ushqimore kontaminohen dhe ndotin ambientin përreth. Me pak kujdes e me një investim të vogël, kjo gjë mund të zgjidhej fare mirë si shumë gjëra të tjera.
Por jo vetëm këto. Infrastruktura që është ndërtuar, domethënë rrugët, që duhet thënë se është bërë një punë e lavdërueshme, ka krijuar lehtësira të mëdha në qarkullimin e mjeteve. Kjo do të ketë efektet e veta. Sa të përgatitur janë operatorët turistikë që veprojnë në këtë zonë për ta përballuar këtë fluks kaq të madh? Në Jal, nga një përllogaritje që kemi bërë, çdo ditë qarkullojnë dhe parkohen rreth 500 makina që lënë gjurmë jo të vogla në shëndetin e njeriut nga mbeturinat që lëshojnë. Këto shifra në të ardhmen, me rrugën që po bëhet, do të jenë edhe më të larta. Nuk ka arsye për ta besuar, sepse nisja e punimeve në këtë segment të rrugës që lidh Jalin me Vunoin ishte kaq e ngutshme në pikun e sezonit dhe e ndoti kaq shumë mjedisin nga pluhurat e shumtë që dolën. Ambienti nuk është në vëmendjen e kurrkujt. Edhe në sokakët e fshatit, që tradita ka qenë e hershme, plehrat dhe mbeturinat të zënë frymën.
Por kjo më së shumti është dhe një papërgjegjshmëri e njerëzve që janë neglizhentë dhe mospërfillës ndaj shëndetit të tyre. Një shoqatë me disa projekte që ka për pastrimin e mjedisit, ka bërë disa aksione modeste, por që janë shumë pak ndaj asaj çka kërkohet. Sensibilizimi i opinionit duhet të jetë një praktikë pune që s‘duhet bërë me fushata. E keqja më e madhe është se këtu nuk funksionojnë strukturat vendore që e kanë për detyrë ta bëjnë këtë, e jo më shteti pastaj, që duhet të ketë projekte ambicioze për këtë zonë. Ndotja e ambientit nga studimet e bëra sot në institucione kërkimore shkencore të specializuara konsiderohet si vrastarja më e madhe e shëndetit të njeriut. Shpresoj që këto shqetësime të mos bien në vesh të shurdhër… E vërteta është se turistët janë të shumtë dhe s‘ka se si të ndodhë ndryshe me këto bukuri që ka kjo krahinë. Francezë, italianë, spanjollë, polakë, hungarezë, serbë, maqedonas, çekë etj., dhe kur i pyet se çfarë përshtypjesh kanë, ata të gjithë janë të një mendjeje se vërtet është një mrekulli, por pastaj fjalët u mbarohen, ngrenë supet dhe shikojnë përreth, duke lënë të kuptohet se mjedisi lë shumë për të dëshiruar.
Një profesor nga universiteti “Sapienza” i Romës, Sergio në mos i gaboj emrin, së bashku me të shoqen më thotë: “Një natyrë e virgjër, tërheqëse dhe e bukur, por çimentizimi ka filluar dhe ambienti lë shumë për të dëshiruar”. Dhe kanë të drejtë. Ne s‘kemi përvojë në këtë lloj turizmi ditor, shëtitës, dhe as janë marrë masa organizative për të krijuar kushtet e përshtatshme, që është një fenomen i cili pasojat i ka jo të vogla në mjedis. Gati një muaj më parë Kryeministri ynë i nderuar u shfaq në këto anë për të bërë inaugurimin e rrugës që të çon në Shën Theodhori, me foltoren që s‘harron ta marrë me vete. Dhe kishte zgjedhur pikërisht pikun e sezonit. Për kureshtjen e lexuesve, rruga që të çon atje nuk është më shumë se 4 km dhe është bërë njëkalimshe, me disa xhepa anash, për të bërë këmbimin e makinave, duke lënë jashtë pikërisht një nga perlat e bregut jonian, plazhin e Ngjipesë, që s‘është më shumë se 1 km dhe nuk do të kishte ndonjë kosto të madhe për ta rënduar buxhetin e shtetit.
E kjo s‘ka se si mos të të krijojë dyshime. Jo shumë larg këmbëve të tij, ku rruga gjarpëron në një mjedis me rrepe dhe lumi merr rrugën e derdhet në det, ndodhet një nga segmentet më të bukur, por fatkeqësisht i dëmtuar nga materialet inerte që janë hedhur në të në mënyrë të pandërgjegjshme nga firma ndërtuese. Në vijim të saj befasohesh me një nga kanionet më të bukur, i gjatë gati 800 metra, i paeksploruar, që tërheq shumë vëmendjen e turistëve vendës dhe të huaj. Më interesantja e të gjithave ishte se që këndej ju dha një lajm jo të zakonshëm shqiptarëve: kujt nuk e punon tokën, ajo do t‘i merret.
Për shumë arsye kjo deklaratë nuk mund mos të ngjallë habi. Që Kryeministri ka zgjedhur këtë vend për ta bërë këtë deklaratë, është puna e tij, por ai duhet ta dijë mirë se bregasit janë shumë të ndjeshëm ndaj çështjes së pronës dhe s‘kanë reshtur kurrë së kërkuari që të shkojnë tek ato të të parëve dhe kështu do zgjidhej njëherë e mirë problem i saj. Ligji më absurd që është bërë ndonjëherë në këtë vend, së paku në këtë 20-vjeçarin e fundit dhe që protagonist ka qenë ai me forcën politike që përfaqëson, së bashku me gjithë klasën politike të vendit, ka qenë ligji i famshëm 7501, që është peng për zhvillimin e vendit dhe shumë konfliktual në zbatimin e tij.
Por edhe duke e marrë si të mirëqenë deklarimin e tij, të paktën të merrte informacion nga administrata e tij, se tokën s‘ua ka dhënë ende akoma… Plaga më e madhe e kësaj krahine është braktisja e saj, një fenomen që është mjaft shqetësues dhe kushdo e kupton se çfarë efekti ka krijuar kjo në gjithë jetën ekonomike shoqërore të bregut të detit. Penalitetet janë reminishenca të së kaluarës dhe nuk është kjo alternativa që mund t‘u ofrohet banorëve të kësaj treve, por studimi i gjendjes me ekspertë e specialistë përkatës e me debate me palët e interesuara për të përcaktuar strategjira e plane afatgjata e afatshkurtra, në mënyrë që t‘u ofrohen opsione të pranueshme e të besueshme që ata të nxiten e të stimulohen që të vijnë e të punojnë në shtëpitë e tyre, në vendin e tyre, në tokën e tyre.
Kjo është një nga plagët më të rënda. Këtu, dy-tre muaj jetë e gjallëri ka, ndërsa pjesa tjetër e vitit mbetet në një shkreti që është e trishtueshme për këdo që e shikon. Prandaj, sa më shumë të vonohet Kryeministri me qeverinë e tij, aq kosto më të madhe do të ketë. Besoj se për të nuk ishte shumë larg që të ngjitej deri në Vuno, në mos më poshtë, deri në Jal, e t‘u kërkonte ndjesë atyre banorëve për ato prishje që bënë ndërtimorët e tij.
Vunoi është unikal në gjithë Shqipërinë për dëmet që pësoi nga lufta dhe nuk mund mos të mbetet i habitur kushdo që i shikon. Do ishte në nderin e tij të shkonte e t‘u premtonte Vunjotësve se atë që s‘e bënë gjithë qeveritë paraardhëse, mund ta bënte ai: të rindërtonte shtëpitë. Një sfidë e guximshme, por jo e paarritshme. Kurrë s‘është vonë. Ndoshta do kthehet një herë tjetër. Rruga për në Jal s‘është vonë për t‘u inauguruar… Të shpresojmë.
Në këtë krahinë ndeshesh me një fakt shumë domethënës, që kanë çfarë të mësojnë të tjerët, një klimë e përgjithshme dhe opinion i shëndoshë shoqëror, se prona nuk preket dhe jeta e siguria e njerëzve respektohen. Nuk është kjo meritë e organeve që merren me këtë punë, por e një kulture të kultivuar me kohë. Dhe për ta mbyllur, dëshiroj t‘u them lexuesve se këtu klima të fal shëndet dhe të ripërtërin forcat për punë. S‘ka gjë më të bukur kur nata bie dalëngadalë mbi fshat.
Çdo gjë sikur bie në qetësi nga një ditë e lodhshme dhe hëna fillon rrugëtimin e saj. Rrezet e saj përplasen në det dhe japin disa refleksione të çuditshme, ndoshta dhe nga thyerja që pësojnë me valët e tij, ndërsa flladi i lehtë që vjen nga deti e kryqëzohet me ato të malit, tund lehtazi degët e pemëve dhe gjethet e ullinjve që fëshfërijnë e japin disa ngjyrime të mahnitshme. Çdo gjë bie në pushtetin e saj. Të sodisësh këtë mrekulli deri në orët e vona të natës, në ballkonin e shtëpisë, besoj se do të jeni të gjithë në një mendje me mua, se s‘ka gjë më të bukur e më të shëndetshme: mushkëritë mbushen me ajër të pastër, koka kthjellohet, mendja ndriçohet dhe trupi relaksohet e forcat rigjenerohen. S‘ka më mirë. Magjia e ka emrin Vuno.-Gazeta Shqip, Alqiviadh Dede