Deputeti i opozitës parlamentare, Lefter Maliqi ka shpërthyer në akuza ndaj kryeministrit Edi Rama gjatë një prononcimi për mediat, për të cilin tha se nuk e ka ndërmend ta lërë pushtetin.
Sipas tij, ka ardhur koha që kreu i qeverisë të largohet dhe kjo mund të arrihet përmes revoltës popullore ose ndërhyrjes së fortë ndërkombëtare.
Për Maliqin, Rama po pengon reformën zgjedhore, reformën në drejtësi, si dhe po rikthen diktaturën në Shqipëri.
“Ka ardhur koha e një ngritje të madhe se pasiguria në vend është shumë e madhe, vetëm këto dy ditë kemi vrasje e tritol, përdhunime të turpshme. Ky kryeministër nuk ikën nga pushteti me votë të lirë por vetëm me revoltë popullore dhe ndërhyrje të fortë ndërkombëtare.
Është peng i krimit dhe korrupsionit, e ka mbjellur Shqipërinë me drogë. Ka dy rrugë për të dalë nga kjo krizë, është revolucioni demokratik që në vjeshtë duhet të shpërthejë ose ndërkombëtarët të lënë diplomacinë dhe të vendosin gishtin mbi njeriun që po pengon reformën zgjedhore, reformën në drejtësi, që njollosi këtë vend, po vret demokracinë dhe kthen diktaturën në Shqipëri.”