Kandidati për deputet i Partisë Socialiste thotë se nëse presidenti i Republikës do të dënojë ata që vjedhin votën, duhet ta nisë nga LSI-së.
I ftuar në emisionin “Top Talk”, Manja ka komentuar deklaratat e presidentit Ilir Meta se “do t’ia presë dorën kujtdo që kujtdo që prek zgjedhjet e 25 prillit”.
Nëse e bën këtë, thotë Manja, duhet ta nisë nga Lëvizja Socialiste për Integrim. “Presidentit i duhet të ketë shumë sopata në dorë dhe të presë shumë duart, por ta fillojë nga partia e tij. Më flagrant është rasti i Pukës, ku një eksponent i LSI-së u kap me karta në makinë dhe para në makinë. Kam përshtypjen se duhet ta nisë nga duart e partisë së tij. Partia e tij është parti e blerjes së votës”.
Kryetari i komisionit parlamentar të ligjeve të PS-së thotë se këto deklarata të Metës vijnë “nga padituria e tij për mënyrën si do të votohet”. “Presidenti të gjitha këto i ka skenare imagjinare. Është në panik, pasi është palë në zgjedhje, se të mos ishte, do të kishte bërë detyrën.
E keqja është se nuk e njeh fare procesin, sepse kodi zgjedhor që do të aplikohet sivjet, ka përcaktuar qartë se do të ketë identifikim biometrik. Pra, nuk njeh procesin. Nuk ka marrë mundimin të këshillohet si do të votohet në 25 prill.
Nëse vërtet i ka këto dyshime, të shkojë t’ia parashtrojë organeve ligjzbatuese”.
Sipas tij, zgjedhjet parlamentare të 25 prillit do të jenë të lira dhe të ndershme. “Pse nuk e ka ngritur këtë shqetësim Partia Demokratike? Sepse e njeh sistemin zgjedhor. Votohet me kartë identiteti, me pasaportë biometrike. Këto karta do të duhet të lidhen me gjurmën e gishtit. Ndryshe nuk hapet sistemi.
Presidenti i republikës të mbajë premtimin që u ka bërë shqiptarëve, të japë dorëheqjen, nëse Rama fiton në 25 prill. Rama do t’i fitojë zgjedhjet, do të jetë totalisht të ndershme.
Sjellja e tij sot, nga pikëpamja kushtetuese tregon se është jashtë funksionit të tij”.