Mark Zuckerberg: Pse zgjodha fjalën greke për emrin e ri të Facebook

Themeluesi dhe drejtori i kompanisë Facebook, Mark Zuckerberg, prezantoi në eventin Connect 2021, emrin e ri, Meta, i cili bashkon aplikacionet dhe teknologjitë nën një markë të re të kompanisë.

Fokusi i Metës do të jetë të sjellë në jetë metaversin dhe të ndihmojë njerëzit të lidhen, të gjejnë komunitete dhe të rritin bizneset.

Metaversi do të ndihet si një hibrid i përvojave të sotme sociale në internet, i zgjeruar në tre dimensione ose i projektuar në botën fizike.

Zuckerberg paralajmëroi për një të ardhme krejt të ndryshme që sipas tij do të vijë shumë shpejt. “Kjo do t’ju lejojë të ndani përvoja me njerëz të tjerë edhe kur nuk mund të jeni së bashku – dhe të bëni gjëra së bashku që nuk mund t’i bënit në botën fizike. Është evolucioni i radhës në një listë të gjatë të teknologjive sociale”, tha Zuckerberg.

Ai paralajmëroi përdorimin masiv të hologramës, siç tha ai, për të bërë që çdo njeri të jetë në të njëjtën kohë në disa vende pa qenë nevoja të udhëtojë për cilindo vend ku duhet të jetë.

“Në këtë të ardhme, do të jeni në gjendje të teleportoheni menjëherë si hologram për të qenë në zyrë pa udhëtuar, në një koncert me miqtë ose në dhomën e ndenjes së prindërve tuaj. Kjo do të hapë më shumë mundësi sepse mund të bëni gjëra kudo, pavarësisht se ku jetoni. Do të jeni në gjendje të shpenzoni më shumë kohë për ata që kanë rëndësi për ju, të shkurtoni kohën në trafik dhe të zvogëloni pjesën tuaj të karbonit. Mendoni se sa gjëra fizike keni sot që mund të jenë thjesht hologramë në të ardhmen”.

Zuckerberg ka rrëfyer edhe se përse ai zgjodhi fjalën greke metà, për emrin e ri të Facebook. Ai tha se dikur kishte studiuar greqishten e vjetër dhe “fjala “meta” vjen nga fjala greke që do të thotë “përtej”.

“Për mua, kjo fjalë simbolizon se ka gjithmonë më shumë për të ndërtuar, dhe ka gjithmonë një kapitull tjetër të historisë. E jona është një histori që filloi në një dhomë konvikti dhe u rrit përtej çdo gjëje që imagjinonim; në një familje aplikacionesh që njerëzit përdorin për t’u lidhur me njëri-tjetrin, për të gjetur zërin e tyre dhe për të filluar biznese, komunitete dhe lëvizje që kanë ndryshuar botën”, tha Zuckerberg.

Fjala meta do të thotë pastaj, por ka edhe kuptimet më pas, përtej, paskëtaj, etj. Ajo është një fjalë shumë e përdorshme nga grekët.

Loading...