Markat globale të turizmit, interes për Shqipërinë

“Shqipëria është në fazën e një kapërcimi të madh të turizmit të inercisë dhe mbi gjithë nismat kaotike pa vizion afatgjatë, që më shumë e kanë dëmtuar se sa e kanë ndihmuar rritjen e qëndrueshme të kësaj industrie”.

Duke marrë fjalën në samitin e investitorëve të huaj në turizëm, Kryeministri Edi Rama u shpreh se “Shqipëria gjendet tani në një fazë të ndërmjetme mes një të shkuare kaotike dhe jo fort shpresëdhënëse dhe një të ardhmeje realisht optimiste sa i përket turizmit”.

Kjo është një fazë e ndërmjetme delikate, tha Rama, “me sfida reale dhe komplekse, dhe me kërcënime serioze që duhen marrë shumë seriozisht në konsideratë”.

Këtë vit, shtoi Kryeministri “Shqipëria përjetoi sezonin më të mirë turistik dhe jo thjesht në çështje numrash sa i përket 6 milionë turistëve dhe mbi 2 miliard eurove të ardhurave nga turizmi, si dhe rritjen më të lartë të punësimit në këtë sektor.

Ajo që vlen për tu theksuar, sipas Kryeministrit është intensifikimi i interesit të aktorëve të mëdhenj në këtë fushë dhe afrimit të markave të njohura globale të turizmit që deri dje as mund të imagjinohej se do të ishin mes nesh.

“Sot firmosen disa marrëveshje të një rëndësie shumë të madhe strategjike për imazhin e Shqipërisë turistike, përtej asaj që do të sjellin në ekonominë e turizmit marka të kësaj rëndësie dhe këtij niveli ndërkombëtar. Janë hotele që ne do të kishim dëshiruar t’i shikonim në Shqipëri vite më parë, i kemi parë në vende të tjera fqinje dhe gjithmonë kemi ëndërruar ditën kur mund t’i kishim në Shqipëri”, tha Rama, duke shtuar se “kjo ditë është sot”.ATSH

Loading...