Kryeprokurorja Arta Marku ka kritikuar sot fort punën e bërë nga Prokurorët e Tiranës, teksa ka qenë e pranishme në analizën e Prokurorisë së Tiranës dhe asaj të Apelit.
“Nuk jeni përqendruar aq sa duhet në hetimin e çështjeve të rëndësishme dhe mund të thuhet se në pak raste ndonjë prej tyre ka përfunduar me ngritje akuzash apo me dërgim për gjykim.
Janë konstatuar zvarritje të pajustifikuara në hetimin e çështjeve, ka çështje të rëndësishme që rrinë prej vitesh në sirtarët e prokurorisë, me një mungesë të theksuar përgjegjësie.
Pra hetimet janë të pakta dhe jo të suksesshme për këtë vepër penale. Për këto dhe për çdo problematike tjetër të konstatuar përgjegjësia është e secilit prej jush, është individuale dhe secili do të mbajë përgjegjësinë që i takojnë. Pasojat rëndojnë mbi qytetarin dhe më gjerë.
Kujdes me deklaratat publike për çështje të caktuara pasi rrezikoni të anashkaloni funksionin tuaj primar, atë të ndjekjes penale. Prokuroria nuk mund dhe nuk duhet ti përgjigjet me deklarata çdo ngacmimi që vjen nga politika. Përgjigja e duhur është nëpërmjet ushtrimit të funksionit kushtetues të ndjekjes penale, zgjidhjes së çështjes në kohë të arsyeshme dhe me profesionalizëm”- tha ajo.