‘Marrëdhënia jonë është shumë korrekte’, Meta flet për Berishën: Akuzat për kullën? Histori qesharake! Duan të heqin vëmendjen nga…

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka folur sot në studio ne News24 dhe për marrëdhënien me ish-kryeministrin Sali Berisha. Meta tha se marrëdhënia mes tyre është shumë korrekte dhe parimore. Sa i përket akuzave për kullën “Mali i Tiranës”, Meta i cilësoi histori qesharake dhe me qëllim për të hequr vëmendjen nga çështja e inceneratorëve.

“Marrëdhënia jonë është shumë korrekte. Marrëdhëniet e mia me z. Berisha kanë qenë shumë të mira dhe do të vazhdojnë të mbeten të tilla sepse janë raporte të hapura, parimore dhe të sinqerta që kanë në fokus vetëm interesin e vendit dhe të demokracisë.

Kulla? Janë histori tërësisht qesharake. Askush nuk duhet të shpërqendrohet në këto momente nga kryeafera e inceneratorëve. E shoh çështjen e kullave një çështje për të hequr vëmendjen nga inceneratorët që është një kryaferë që vetëm sa është gërvishtur pasi kemi të bëjmë me një grup kriminal dhe janë bërë ligje enkas.

Edhe vetë Ministria e Financave e pranon që në thesar firmosin fatura që nuk kanë mundësi kurrë t’i vlerësojnë. Janë qindra miliona euro. Është shpikje e qeverisë për të vjedhur paratë publike. LSI ka qenë gjithmonë e shqetësuar për koncesionet dhe që në 2014 kemi paraqitur një projektligj për të vendosur filtra”, deklaroi Meta.

Sa i përket çështjes Beleri dhe deklaratave të zyrtarëve grekë gjatë protestës në Himarë, Meta tha se nuk është normale, por është e tmerrshme që një kandidat të rrëmbehet dy net para zgjedhjeve në mes të natës, në 23:30.

“Të gjithë menduam se çfarë flagrance ishte, flagranca ishte se ai po hante darkë me kushëririn e vet dhe një person tjetër. Të gjitha historitë i dimë për sa i takon fabrikimeve për këtë çështje”, deklaroi Meta.

Ai foli dhe për çështjen McGonigal dhe deklaratat e Berishës sot, i cili tha se ish-agjenti i FBI bashkëpunoi ngushtë me Edi Ramën për shkatërrimin e opozitës shqiptare dhe për një puç antikushtetues ndaj opozitës dhe presidentit të Republikës si kundërshtar i Edi Ramës. Meta tha se ka folur për amerikanët e Ramës dhe se McGonigal ishte i tillë.

“Këto gjëra i kam thënë. Dhe këtu në këto studio kam thënë amerikanët e Edi Ramës dhe Mcgonigali ishte amerikani i Edi Ramës. Absolutisht unë kam qenë një target kryesor, si z. Berisha dhe të tjerë që nuk pranonin diktatin e Edi Ramës”, u shpreh Meta.

“Çështja është shumë e qartë. Si do funksionojë atje unë s’mund të bëj orakullin, por të gjithë shqiptarët e ndiejnë se si vidhen nga një qeveri, mjafton të shohim taksën e banesave, si është përmbysur kursi i euros”, theksoi më tej kreu i PL.

Por a do të ketë pasoja kryeministri Edi Rama nga Mc Gonigal?

“Nuk jam i lumtur që jemi në këtë situatë sepse nuk jam i lumtur me pozitën e vendit tonë. Është një pozitë jo e mirë, një shtet që nuk funksionon si i tillë. Një shtet ku vetë policia ndërhyn në TIMS, ku në një repart mbillet kanabis. Një shtet që është kthyer në qendrën logjistike të drogave më të forta. Nuk na bëjnë të lumtur sepse ky është vendi ynë. Rama mbijeton për arsye jo vetëm të kapjes së shtetit, por edhe kapjes së një pjese të opozitës. Ajo që dihet. Nuk mund të fajësoj veten time për vendime politike që janë udhëhequr nga interesi i vendit”, tha Meta.

Sa i përket taksës së pronës, ai theksoi:

“Mua më shqetëson që jemi vendi me nivelin më të ulët të mbledhjes së të ardhurave në rajon. Jemi 15-17% më pak se Serbia. Janë disa miliarda euro. Në vend që qeveria të ketë prioritet luftën kundër korrupsionit, e ka shndërruar në një gropë të madhe për pasurimin e saj. Rëndon vazhdimisht qytetarët e thjeshtë, duke shtuar taksat pas zgjedhjeve”.

Meta u ndal më tej tek aksioni politik me ardhjen e shtatorit, duke deklaruar se do të përshkallëzohet në lidhje me problematikat dhe se do bëjmë çdo gjë të jemi të unifikuar, në sinkron me problemet që kanë qytetarët shqiptarë dhe në sinkron me forcat opozitare që duan të bëjnë opozitë të vërtetë dhe jo t’i shërbejnë Edi Ramës.

“Është një aksion i cili nuk do të bjerë nga qielli. Do të përshkallëzohet në përputhje me temat kryesore. Çdo ditë duhet një përshkallëzim i angazhimit opozitar, i angazhimit qytetar për të rikthyer llogaridhënien sepse shkatërrimi i llogaridhënies ka sjellë këtë situatë ku interesi i qytetarëve nëpërkëmbet. Protestat aty kanë qenë, aty janë dhe do të jenë se pa protesta nuk ka dëgjim të zërit të qytetarëve, por dihet që përshkallëzimi i zërit opozitar është shumë i rëndësishëm në mbrojtje të kauzave të opozitës. Ne bëjmë çdo gjë të jemi të unifikuar, në sinkron me problemet që kanë qytetarët shqiptarë dhe në sinkron me forcat opozitare që duan të bëjnë opozitë të vërtetë dhe jo t’i shërbejnë Edi Ramës duke shpërqendruar opinionin publik. Ne do vazhdojmë aksionin opozitar”, u shpreh Meta.

Loading...