Sipas njoftimit për mediat nga Partia Socialiste, Shqipëria dhe Greqia kanë arritur një marrëveshje për punësimin sezonal të shtetasve shqiptarë, të cilët dëshirojnë të punojnë në sektorin e bujqësisë në shtetin helen.
“Marrëveshja, e cila tashmë ka hyrë në fuqi pas miratimit nga parlamenti grek, u bë e mundur fal negociatave të Kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, njëherësh Sekretari i Përgjithshëm, Taulant Balla, me ministrin grek të Bujqësisë, Makis Voridhis. Për herë të parë i gjithë procesi i pajisjes me dokumentacionin e nevojshëm do të jetë falas dhe emigrantëve nuk do t’iu duhet të pajisen me vizë pune, duke kursyer kështu kohë dhe pagesat e veprimeve konsullore”,- njofton Partia Socialiste.
“Në marrëveshje parashikohet që duke nisur nga data 4 maj deri më 20 qershor 2020, të gjithë punëdhënësit grekë që janë të interesuar për të punësuarit sezonalë, të aplikojnë pranë kooperativave bujqësore të rajoneve të tyre. Ndërkohë personat e interesuar të punësohen në këtë sektor, do të duhet të aplikojnë në platformën virtuale www.punenegreqi.gr dhe brenda 3-4 ditëve, do të kenë mundësi të përfitojnë kontratat e punës”,- vijon njoftimi.
“Parashikohet që 7 mijë deri në 10 mijë shtetas shqiptarë, të mund të punojnë me të drejta të plota në shtetin fqinj. Termat e marrëveshjes kanë parashikuar edhe masat për respektimin e protokollit të sigurisë për mbrojtjen nga COVID-19”,- bëhet me dije në njoftimin e Partisë Socialiste. //atsh