Në emisionin “Autokton” të gazetares Anila Ahmataj u trajtua këtë të dielë pjesa e dytë “Ismail Mekati dhe lufta e tij ndaj Tanzimatit”
Çfarë i raportoi nga Janina Misionari Mavromatis kryeministrit Harillas Trikupi në 15 dhe 19 korrik të 1877!?
Shekulli i 19 pasoi me ngjarje të rënda për kombin shqiptar, si ajo e shpërthimit të luftës Ruso-Osmane më 1877. Greqia me Megali Idenë, priste çastin për të depërtuar në territoret e jugut shqiptar. Komiteti i Stambollit, si bërthama e Lidhjes së ardhme të Prizrenit, mjaft aktiv, hyn në bisedime me përfaqësuesin grek për të mos u bërë ata palë me serbët e malazezët në grabitjen e territoreve perandorake osmane, që në fakt ishin ato shqiptare. Misionari Mavromatis i raporton nga Janina kryeministrit Harillas Trikupi në 15 dhe 19 korrik 1877; Marrveshjet tona me përfaqësuesin e shqiptarëve, janë ndërprerë, meqënëse Abdyl Frashëri ngul këmbë për sovranitetin shqiptar dhe nuk pranon që Epiri ti jepet Mbretërisë Greke, pasi është tokë autoktone shqiptare, lexojmë në revistën O neo kuvaras, Athinë, 1962.
Nuk vonoi dhe Greqia filloi një invazion të mirfilltë në zonën e Srandës, Ksamilit por dhe Himarës, ku këtij rreziku jugor krerët e Kazaza së Vlorës dhe ata të Delvinës u përgjigjën menjëherë. Në fushën e luftës këtë radhe zbritën, si e kërkonte detyra, bijtë e tyre, vazhdues të asaj tradite luftarake që atdheu nuk e linte të ngurtësohej. Si shembull mund të themi se biri i legjendarit Zenel Gjoleka, Myslim Gjoleka, eshtë në vijën e parë, këtë herë ndaj grekëve, atyre të cilëve u kishin ngritur shtetin dikur.
Bijtë e Ismail Mekatit, Zeqir e Rushit Mekati, nuk mund ta linin emrin e të atit në një përkohshmëri, por nxituan sa dha kushtrimi në fushën e luftës, duke mobilizuar si krerë, një forcë që erdhi me të shpejtë në ndihmë qëndresës së zbarkimit të parë në Himarë, dhe pastaj depërtuan në drejtim të Lëkurësit. Forcat e vendasve, si fshatrat e Nivibë- Bubari e Zhulat- Palavli që po rezistonin me vështirësi, u hodhën në sulm. Vetëm nga forcat e Zhulatit u vranë 46 vetë në atë betejë. Forcat greke ndërruan vendzbarkim në drejtim të Himarës që bënë dhe detashmentin Mekatas të tërhiqej aty, pasi në ndihmë të luftës së Ksamilit erdhi një forcë nga Kuçi Kurveleshit, dhe detashmenti Mekatas mbeti i bllokuar në luftimet e Lëkurësit, ku forcat greke ishin të mëdha dhe po zbarkonin trupa të rregullt vazhdimisht..
Duke mos e lënë luftën e të parëve në mes, ata u kthyhen pasi invazioni grek u spraps duke i detyruar të imbarkoheshin në anije dhe të iknin në drejtim të Korfuzit, duke lënë qindra të vrarë. Tabori i Janinës erdhi me shumë vonesë, që solli një humbje jo të vogël nbrojtëve të qëndresës.
Shekulli i ri trokiti me rrëmbim të trojet shqiptare, ku luftrat ishin kthyer në atë të gjuhës amtare si dhe hapjen e shkollave shqipe pas revolucionit xhon turk në të gjithë Kazatë. Kështu në Mekat e Llakatund shtëpitë e para të krerëve po i kërkonte një luftë e re për dije dhe historisë ata ju përgjigjën pa mëdyshje, si me financime, ashtu dhe me ngritje shkollash.
Kryengritja e Toskërisë më 1911-1912 ishte prologu i pavarësisë
Një erë e re po frynte, Kazaja e Vlorës u përfshi e tëra në kryengritje, e cila epiqëndrën e rivendosi përsëri në Mallakastër, fakt që bëri pasardhësit Mekati të ishin brenda vatrave të nxehta të luftës të parët, pasi aty një Vjosë i ndante. Kjo përsëriste veprën e të atit që shkonte i pari në mbrojtje të Rrapo Hekalit, djalit të tezes së tij, sepse ishte kudo e njëjta Shqipëri.
Shpallja e pavarsisë së Shqiprisë, si një vepër e ngutëshme përballë rrezikut sllav, arriti me ndihmën e fuqive antisllave të nxirrte Shqipërinë nga kurthi i përjetshëm i fqinjëve. Si bashkohës, por dhe miq e të vendosur në të njëjtat prona mekatase, interesi ushtarak kalon këtë herë përkrah Senatit, ku Eqrem bej dhe i ati Syrja bej Vlora janë si miqtë e hershëm, por edhe më të pranueshëm si austrofilë, shpëtues të Shqipërisë.
Hasan Mekati peshonte në rrebeshin e kohës lavdinë e të parëve…
Shteti grek në Konferencën e Ambasadorëve Londër, u përpoq me të gjitha diabolizmat e tij dhe politikën e mbrapshtë për të marrë Epirin, si pjesë që duhet ti kalontë Mbretërisë Greke deri në Vjosë. Këmbana e luftës gjëmi sërish dhe nipi i Ismail Mekatit, Hasan Mekati, nuk mund të mos peshonte në rrebeshin e kohës lavdinë e të parëve. Masakrat greke duke sjellë karvane refugjatësh sollën një lloj lufte të re, atë të ndihmës ndaj fatit të shqiptarëve, që shkelej me këmbë nga andartët grekë. Forca e Mekatit me Hasan Mekatin, u nis në Gllavë të Tepelenës, ku ishte vija mes fuqive ushtarake shtetit të ri shqiptar dhe atyre që kërkonin Shqipërinë, për Epir.
Kalimi në fronin shqiptar të Princ Vidit, solli kryengritjen më të errët të fanatikëve islamë Haxhiqamilistë kundër tij, për të risjellë përsëri Perandorinë Osmane, si një mallkim ndaj dritës që po shfaqej nga perëndimi dhe rimëkëmbjen europiane që po i ofrohej në këtë shans të pahasur historik. Karvanet me njerëz të kërruzur nga fati, varrosur rrugës fëmijët e tyre, shoqëruar me një tym të zi që kish djegur përfundimisht qindra e qindra katunde. Ndihma e pakursyer duke i strehuar me qindra e ndihmuar ishte një gjë e zakontë e fisnikërisë, dhe shpirtit të tyre. Shumica mbërritën në ullishtat e Vlorës dhe kjo forcë luftarake e Mekatit u drejtua për në Vlorë në korrik 1914, pasi duhej që krerët e krahinave të udhëzoheshin dhe ndihmoheshin në këtë katastrofë humanitare, ku për këtë erdhi vetë Princ Vidi në këtë kohë për të parë gjendjen, dhe bujti në sarajet e Vlorajve./BalkanWeb