Dy zëvendëskryeministrat e Aleancës Qeverisëse në Itali, Mateo Salvini dhe Luixhi Di Maio, kanë konfirmuar se do të bëjnë të pamundurën për të mos cënuar koalicionin e tyre. Në takimin e parë përballë njëri-tjetrit pas më shumë se dy muajsh, aleatët thanë se objektivi i tyre do të jetë përmbushja e zotimeve ekonomike.
Pas disa muajve polemikash dhe kundërakuzash të nisura me fushatën elektorale për zgjedhjet europiane, dy krerët e koalicionit qeverisës në Itali janë zotuar të mos rrezikojnë stabilitetin e vendit.
Në përfundim të takimit kokë-më-kokë, zëvendëskryeministrat Mateo Salvini dhe Luixhi di Maio dhanë fjalën të enjten se do të bëjnë ç’është e mundur që qeveria të vazhdojë si më parë.
Dy aleatët thanë se tanimë përparësi do i jepet ekonomisë.
Salvini-Maio tha se:”Objektivat që duhet të realizojmë janë ulja e taksave përmes masave të jashtëzakonshme, ulja e papunësisë, rroga minimale si edhe rritja ekonomike. Gjithashtu do të nisim një dialog konstruktiv me Europën, që i vë italianët në qendër të vëmendjes, pas shumë vite qeverisjeje pasive.”
Dy kryetarët e partive “Lidhja” dhe “Lëvizja 5 Yjet” treguan se nuk u diskutua për riformatimin e kabinetit.
Kryeministri i vendit, Xhuzepe Konte, i cili pak ditë më parë kërcënoi me largimin nga posti, e vlerësoi shkëmbimin pozitiv mes palëve.
Përpos debateve politike, në Itali prej së mërkurës po analizohen veprimet që duhen ndërmarrë për të evituar masën disiplinore prej 4 miliardë dollarë të Komisionit Europian.
Organi ekzekutiv i BE-së ka vlerësuar se vendi mesdhetar ka shkelur normat e defiçitit dhe të borxhit publik që tashmë ka arritur mbi 130 për qind.
Vendimi për penalizimin e Italisë pritet të merret nga shtetet anëtare brenda muajit të ardhshëm.