Personat që konsumojnë çdo ditë vezë janë 18% më pak të rrezikuar që të vdesin nga sëmundjet kardiovaskulare, që manifestohen me atak në zemër ose goditje në tru, krahasuar me personat që e shmangin konsumin e vezës.
Tensioni i artë i gjakut, mbipesha dhe luhatjet e niveleve të sheqerit në gjak rrisin rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve kardiovaskulare.
Të gjithë këta faktorë zhvillohen si pasojë e dietës së pashëndetshme, pasivitetit fizik, duhanpirjes dhe abuzimit me alkoolin.
Për gati 9 vite, shkencëtarët kanë vëzhguar rreth gjysmë milionë njerëz, të cilët në fillim të studimit nuk vuanin nga asnjë sëmundje të tillë si diabeti, kanceri apo sëmundjet kardiovaskulare.
Më shumë se 13% e të rriturve, të moshës 30 deri 79 vjeç, treguan se konsumonin gati çdo ditë 1 vezë, ndërsa 9% raportuan se konsumonin shumë rrallë vezë.
Përgjatë 9 viteve të studimit, 9,985 persona humbën jetën nga sëmundjet kardiovaskulare, ndërsa gati 84,000 pjesëmarrës të tjerë në studim u diagnostikuan me sëmundje të zemrës.
Pasi analizuan të dhënat, shkencëtarët zbuluan se konsumi i një veze në ditë lidhej me një rrezik më të ulët për zhvillimin e sëmundjeve të zemrës, krahasuar me mos konsumimin fare të këtij produkti.