Mbi 10 mijë viktima nga koronavirusi. Pse po i ndodh kjo pikërisht Italisë?

Italia pa dyshim po përjeton disa nga skenat më dramatike të pandemisë së koronavirusit. 

Por si ka mundësi që qytetet e adhuruara nga shumëkush për kulturën, gatimin cilësor dhe peizazhet mbresëlënëse të jenë shndërruar në një ”ferr”, ku fotografitë piktoreske i kanë lënë vend asaj me kamionët ushtarakë të mbushur me kufoma, që ka bërë xhiron e botës?

Ekspertët janë disi të ndarë në këtë pikë, ose me saktë sugjerojnë disa shkaqe.

Të dhënat tregojnë se vendi me 60 milionë banorë renditet i dyti për sa i përket të infektuarve nga koronavirusi, duke kaluar sipas të dhënave të fundit, dhe në përditësim të vazhdueshëm, 92 mijë personat.

Vendi europian kalon në numër Kinën ku koronavirusi është raportuar për herë të parë, mbrapa vetëm Shteteve të Bashkuara që po shndërrohet në epiqendrën botërore.

Por edh pse këto vende janë shumë herë më të populluara se ajo, Italia ka numrin më të madh të vdekjeve, që kanë kaluar tashmë 10 mijë personat, pra 166 të vdekur për 1 milion banorë. Ndërkohë që Kina ka “ndalur” në rreth 3300, rreth 2 viktima për 1 milion banorë, ndërsa Shtetet e Bashkuara janë ende larg, me më pak se 2000 të vdekur, ose 7 çdo 1 milion banorë.

Por çfarë po ndodh? Një nga epidemiologët më të shquar italianë, Massimo Galli, shefi i repartit infektiv në spitalin Sacco të Milanos, thotë se metoda italiane e testimit nuk ka dhënë një dimension real të infektuarve, citon a2 cnn. “Janë shumë më shumë”, thotë ai, që shton se në vendin e tij testohen vetëm personat me simptomat më të rënda, dhe se janë me mijëra që presin ende të testohen. “Kemi një shërbim shëndetësor shumë të mirë, veçanërisht në Milano, por edhe ky sistem nuk mund ta përballonte këtë valë”, thotë ai.

Prushi që ka përhapur kaq shumë zjarrin e pandemisë së koronavirusit sipas të tjerëve ka të bëjë edhe me shoqërinë italiane. Vendi fqinj ka mesataren e jetëgjatësisë më të lartë në Europë, dhe të dytën në botë pas Japonisë. Nuk habit fakti që mesatarja e të prekurve nga COVID-19 në Itali të jetë 78-vjeçare, shumë prej tyre të ngarkuar me probleme të shumta, karakteristike të moshës, që koronavirusi thellon në mënyrë shpeshherë fatale. Ndërkohë, nuk mungojnë teori që i mëshojnë edhe cilësisë së ajrit, më të rënduar nga industritë në veriun më të goditur sesa në jug.

Por ka edhe shpresë. Si ajo që buron nga 102-vjeçarja Italica Grondona, e cila u shërua nga COVID-19, dhe është pacientja më e vjetër në botë q arrin diçka të tillë.

“E quajmë Highlander, e pavdekshmja”, thotë për të mjekja që i ka ndenjur pranë. E pavdekshme, ashtu si historia e këtij vendi që me siguri do të buzëqeshë sërish.

Loading...