Mbledhje urgjente në Durrës, merren dy vendime të rëndësishme

Këshilli Bashkiak i Durrësit në mbledhjen emergjente të mbrëmjes së sotme ka miratuar dy projekt-vendime të paraqitura nga bashkia për të përballuar situatën e rëndë pos-tërmet të 26 nëntorit.

Me vota unanime, Këshilli Bashkaik miratoi projektvendimin e krijimit të strukturës së përkohshme prej 100 vetash specialistë ndërtimi me afat tre mujor, pranë ndërmarrjes së rrugëve, me qëllim rikonstruksionin e objekteve të banimit të ndërtuara para viteve 1993 dhe të dëmtuara nga tërmeti.

Në këtë mënyrë, bashkia ka marrë përsipër të rikonstruktojë pallatet e vjetër, të cilat kanë dëmtime kryesisht në katet e para e të dyta, ndërsa pallatet e reja kanë dëmtime në të gjithë katet kryesisht në fasada në muret e brendshme e shkallë. Kryeministri tha para pak ditësh se pallatet e reja duhet të rikonstruktohen nga ndërtuesit që jua kanë shitur banorëve.

Ndërkohë që këshilli miratoi edhe listën paraprake të familjeve që përfitojnë bonusin e qerasë për një vit, pasi banesat e tyre kanë dalë jashtë funksioni ose janë shembur. Numri i familjeve që përfitojnë ka shkuar deri në 1310 deri tani, ndërsa kërkesat për të përfituar bonusin e qerasë janë shumë të larta në bashkinë e Durrësit, e cila u godit shumë rëndë nga tërmeti I 26 nëntorit.

Loading...