Mblidhet sot Këshilli Politik, ku palët do të ulen sërish përballë njëra-tjetrës për të diskutuar propozimet e opozitës parlamentare të mbështetura nga mazhoranca për ndryshimet kushtetuese siç janë listat e hapura dhe heqja e koalicioneve parazgjedhore.
Nisma e votuar në Komisionin e Ligjeve është kundërshtuar nga ndërkombëtarët dhe opozita e bashkuar, e cila kërkon rikthimin e diskutimeve në Këshillin politik pa prekur marrëveshjen e 5 qershorit.
Bashkëkryetari i Këshillit Politik, Damian Gjiknuri pasi mori përgjigjen e opozitës së bashkuar, zgjodhi një prej datave të propozuara më herët. Kështu palët pritet të ulen sot në orën 11:00.
“Në vijim dhe të përgjigjes nga përfaqësuesit e opozitës jashtëparlamentare, mbledhja e tryezës së Këshillit Politik mbahet ditën e hënë ora 11:00”,- theksohet në njoftimin e mazhorancës.
Ndërsa kryeministri Rama pritet të negociojë vetë detajet e marrëveshjes së mundshme mes tyre, kryedemokrati Lulzim Basha nuk do ulet në një tryezë me të, duke ia besuar ekspertëve rreth tij, çështjet teknike.
Këshilli Politik tashmë do të ketë në përbërje 7 anëtarë, nga mazhoranca Edi Rama dhe Damian Gjiknuri, nga opozita jashtëparlamentare Gazment Bardhi, Petrit Vasili dhe Oerd Bylykbashi, kurse nga opozita parlamentare Myslim Murrizi dhe Rudina Hajdari.
Fillimisht idenë e dha PD, e cila u pranua nga Rama, më pas e mbështetur nga ndërkombëtarët teksa opozita parlamentare duket se ka rënë dakord me këtë zgjidhje.