Mbyllen fasoneritë në Krujë, administratorët: Nëse qeveria nuk na dëgjon do largohemi nga Shqipëria

27 fasoneritë e Krujës kanë pezulluar aktivitetin për shkak se nuk plotësojnë dot kriteret e vendosura nga qeveria përmes “Protokollit të kuq”.

Sipas tyre është e pamundur të ruhet distanca 2 metra në fasoneri dhe në autobus. Ata kërcënojnë se do të largohen nga Shqipëria për të hapur bizneset e tyre në vendet e rajonit.

Biznesi fason në rrethin e Krujës është i pezulluar prej disa ditësh. Administratorët shprehen se e kanë të pamundur të punojnë për shkak të masave strikte të ndërmarra nga qeveria, siç njihet ndryshe protokolli i kuq.

“Ky protokoll i kuq shoqërohet edhe me disa pasoja të tjera mbrapa në raport me biznesin. Ka një rritje 30-40 % e kostos. Së pari që nga transporti , i cili është me të vërtetë i parealizueshëm. E dyta shpërndarjen e posteve të punës në linjat e prodhimit, ku edhe kjo do të ketë një rritje të ndjeshme të kostos së prodhimit”, është shprehur Muharrem Hoçja , administrator i “HM”.

Ata kërkojnë nga qeveria bashkëpunim që të rifillojnë, në të kundërt shprehen se do të largojnë bizneset e tyre nga Shqipëria drejt vendeve të rajonit.

“Do tu jepet paga të gjithë punonjësve sipas kushteve që ka përcaktuar qeveria dhe jo sipas interesave dhe nëse jo e nëse hiqet protokolli i kuq mendoj personalisht me u transferu nga shteti shqiptar në shtetin fqinj”, ka thënë Agron Gjoka nga “Asol” shpk.

Sakaq ata shprehën shqetësim edhe për pagën e luftës, duke akuzuar se e kanë përfituar padrejtësisht disa biznese, ndërsa punëtorët e tyre e kanë marrë pjesërisht këtë pagë.

“Po bëhet një diferencim i madh nëpërmjet puntorëve, ky fond është dhënë për të papunët”, tha Alfred Merlika nga Kompania “Merlika”.

Tre përfaqësuesit e biznesit fason në Krujë përmes mikrofonit të Report Tv i kërkuan qeverisë të dërgojë një grup ekspertësh për të dëgjuar shqetësimet e tyre dhe për të zbutur masat.

Në Krujë janë 27 fasoneri me rreth 5 000 punëtorë, të cilët aktualisht kanë mbetur pa punë për shkak të pezullimit të aktivitetit prodhues. Protokolli i kuq u vendos kur fasoneritë e Krujës u kthyen në vatër infeksioni me disa të infektuar me Covid-19.

Loading...