Mbyllet tregu në Vlorë, tregtarët në protestë! AKU: Hapet kur bashkia të marrë masat e distancimit

Tregtarët e tregut Orizi në Vlorë kanë dalë në protestë pasi AKU ka vendosur mbylljen e tij mëngjesin e sotëm.

Tregtarët po protestojnë kundër inspektorëve pasi nuk i kanë lajmëruar 2 ditë para dhe mallin e blerë janë të detyruar ta hedhin në plehra. Protestat janë të ndaluar me ligj në këtë kohë, por tregtarët shprehen se mbyllja e tregut nuk mund të bëhet brenda ditës, por duhej lajmëruar pasi ata tregtojnë fruta-perime dhe nuk rezistojnë prishen, ndërkohë që mëngjesin e sotëm kishin blerë 30-40 mijë lekë mall për të shitur.

AKU i ka kërkuar Bashkisë Vlorë të mbyll tregun pasi nuk respekton masat dhe kushtet higjienike, ndërsa inspektorët mëngjesin e sotëm kanë njoftuar tregtarët se nuk mund të lejohen më të tregtojnë.

“Na lajmëruan sot në mëngjes. unë vajta bleva 30 mijë lekë mall dhe tani i bie të prishen dhe t’i hedh në rrugë. kjo nuk ka logjikë, duhet të na kishte lajmëruar dy ditë para”, shprehet një tregtar,

“Kam 10 vite që tregtoj fruta perime dhe sot kemi bërë furnizim dhe vijmë në treg dhe inspektoret na thotë se nuk do të hapet puna. Unë kam hedhur para, ku t’i çojë. Duhet të kishin ardhur dy ditë përpara, që ne të shisnim mallin e mbetur dhe të mos blinim sot të ri”, thote një tregtar tjetër.

“Jam me qira dhe sot në mëngjes kam hedhur 40 mijë lekë mall. Ku ta çojë unë këtë mall e ku t’i gjej lekët”, tha një tregtare.

Që prej orës 5 të mëngjesit tregtarët vijojnë të qëndrojnë të grumbulluar para tregut duke protestuar vendimin për mbyllje të menjëhershme të tij dhe pa njoftuar më parë.

Loading...