Mbyllja e basteve, Braçe: 700 mln euro kthehen në xhepat e shqiptarëve

Gjatë një bashkëbisedimi të Kryeministrit Edi Rama dhe deputeteve Socialistë, me gra dhe vajza të qytetit të Lushnjes, kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe ju rikthye vendimit të qeverisë për mbylljen e të gjitha lojërave të fatit në Shqipëri pas datës 31 dhjetor.

Erjon Braçe tha se pas votimit të ligjit në Parlament, ka marrë shumë mesazhe përgëzuese edhe nga vetë pronarët e basteve.

“Deri të enjten që kaloj, mesazhet ishin me të shara, me të kërcënuara, veçanërisht ndaj zonjave që janë deputete në Komisionin e Ekonomisë dhe pas ditës së enjte, pas votimit të ligjit në Parlament edhe ata që zotërojnë pika bastesh edhe ata që ishin punëtorë në pika bastesh edhe ata që ishin lojtarë, na falenderonin dhe thoshin, “ne e pësojmë nga kjo gjë por ne ju falënderojmë, që i mbyllet sepse shpëtuam edhe ne”, – theksoi ai.

Me pas Braçe iu përgjigj kritikave se këtë fenomen e ka përhapur qeveria socialiste. Braçe tha se qeveria Rama vetëm i ka formalizuar dhe sot do t’i mbyllë të gjitha.

“E para është ky konkluzioni i këtyre që flasin në televizione që japin mend për gjithçka, janë këta analistët e mëdhenj që thonë, se kjo që nisëm është populiste. Një pjesë e atyre janë dhe bixhozxhinj. Një përgjigje e kam për ata. Po kur vendosnim tatimin progresiv mbi rrogat tuaja ishim populistë? Nuk ishte populizëm, sepse kemi lënë para në xhepat e shqiptarëve. Po kur vendosëm të ofronim falas kontrollin shëndetësor populizëm ishte? Jo nuk ishte populizëm, por ishte një politikë e qartë e majte e solidare. Po kur vendosëm t’u ofronim grave dhe vajzave mamografi falas, populizëm ishte? Jo nuk është populizëm, sepse shume gra dhe vajza kanë shpëtuar nga ajo mamografi. Ne risim rrogat e mjekëve, infermierëve, mësuesve dhe nuk është populizëm, po hedhim gurin e themelit të ajo pjesë që rrit cilësinë e jetës së fëmijëve. Ne japim libra falas”, – theksoi Braçe.

“Këtë gjë kemi bërë dhe kësaj radhe, duam që 700 milionë euro të kthehen në xhepat e shqiptarëve dhe jo në xhepat e një grupi njerëzish që kontrollojnë bixhozin në këtë vend. Nëse ka një njeri që ka qenë gjithmonë me ju dhe jo me oligarkët, ai është vetëm Edi Rama”.

Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, theksoi se Partia Socialiste nuk e ka mbështetur kurrë këtë biznes ndryshe nga sa ka bërë qeveria e Sali Berishës.

“Se dyti kam mare ca mesazhe të cilat thonë se kujt i ankohesh ti, populli i bëri bastet, ju i bëtë. Nuk ka një rast të vetëm që Partia Socialiste të ketë ndjekur interesin e një grupi njerëzish në këtë aktivitet, për t’i favorizuar dhe për t’i përhapur në të gjithë territorin e vendit, nuk ka qoftë në planin fiskal, as edhe në atë administrativ” –  u shpreh ai.

Sipas Braçes “ne 2005-ën qeveria e Fatos Nanos, ka lënë barre fiskale 25% për tatimin e fitimit të këtyre kompanive dhe 20% për lojtarët fitues. Erdhi Sali Berisha dhe uli tatimin nga 25% ne 10%. Nga 20% për lojtaret në zero lek. Kur ne erdhëm në pushte në 2013, ishin të regjistruara vetëm 1100 pika bastesh dhe 100 e ca salla të lojërave elektronike. Ndërmorëm një operacion në 2014 dhe evidentuam 4200 pika bastesh të palicencuara në të gjithë vendin. Dhe mbi 600 salla të lojërave elektronike të palicencuara. Ne nuk i hapëm, gënjejnë, aty ishin ne vetëm i formalizuam”, – shtoi Braçe.

Në fund Braçe ritheksoi vullnetin për të gjetur të gjitha mekanizmat që në një janar të mos ketë asnjë lloj basti në vend.

“Dhe e treta nga e hëna do të vijoje beteja për tu përgatitur, që prej një janarit të mos ketë me asgjë”. /atsh

Loading...