Mbyllja e lojërave të fatit, Ruçi: U mirëprit nga qytetarët, i shërben interesit publik

Ligji për Lojërat e Fatit, i cili u miratua së fundmi në Kuvendin e Shqipërisë, për Kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi është një nismë e cila është mirëpritur nga qytetarët shqiptarë pasi i shërben interesit publik.

Në fjalën e tij përpara studentëve të sapodiplomuar të Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, Kryetari i Kuvendit foli rreth politikave të zhvillimit ekonomik dhe fuqizimit të sistemit të mirëqenies.

Sipas Ruçit orientimi i shoqërisë drejt lojërave të fatit, nuk garanton zhvillim ekonomik, por deformon qasjen shoqërore ndaj ndërtimit të zhvillimit të sistemit ekonomik.

“Pra pak ditësh, Parlamenti votoi ligjin për mbylljen e lojërave të fatit dhe ky ligj ishte i drejtë dhe i duhuri. Qytetarët e mirëpritën, sepse i shërben interesit të tyre dhe interesit publik. Dua të jetë e qartë për këdo, se orientimi i shoqërisë drejt kumarit, nuk garanton as zhvillim ekonomik, as emancipim, as qytetari, por përkundrazi, deformon qasjen shoqërore ndaj ndërtimit të zhvillimit të sistemit ekonomik. Nëse kushdo lëviz në qytetet tona, vë re se lojërat e fatit janë shndërruar në një pjesë integrale të infrastrukturës urbane, nuk është kjo trashëgimia urbane që duhet t’i përcjellim njerëzve. Nëse i strehojmë pranë qendrave, i kemi pranuar ata si pjesë të kulturës dhe mentalitetit kombëtar dhe shoqëror”, – theksoi Ruçi.

Sipas Ruçit, ky ligj ka impakt si në jetën sociale, ashtu edhe në ekonominë e vendit.

“Ua shpalosim lojërat e fatit të rinjve dhe qytetarëve si një mundësi rikthimi, në vend që peizazhi urban dhe rural të nxisë kulturës e punës dhe jo pritshmëritë e lotos.

Modeli ynë i zhvillimit duhet të krijojë një mentalitet shoqëror nxitës, duhet të ndërgjegjësohen se për të kaluar nga një ekonomi në zhvillim, në një ekonomi të shëndoshë, përveç reformave strukturore, është e rëndësishme edhe krijimi i mentalitetit i orientuar drejt krijimit të vlerës së shtuar për shoqërinë dhe të mirën publike. Liria ekonomike nuk duhet trajtuar si një liri institucionale. Ligji ka impakte sociale, por ka edhe impakt ekonomik”, – përfundoi Ruçi.

Ligji për Lojërat e Fatit do të hyjë në zbatim në 1 janar 2019, duke mbyllur aktivitetin e basteve sportive, kazinove si dhe atyre online. /atsh

Loading...