‘Më 13 qershor do t’i themi jo pengmarrjes’, Basha: Misioni i PD-së, t’i dalë për zot Shqipërisë

Kreu u Partisë Demokratike Lulzim Basha, në takim e zhvilluar me demokratët në qytetin e Fierit, ritheksoi se nuk i njeh zgjedhjet e 25 prillit.

Basha bëri me dije se Partia Demokratike është partia e vetme që do të sjellë ndryshimin në Shqipëri.

“Kjo familje politike ka një mision t’i dalë për zot Shqipërisë”, u shpreh kryedemokrati.

I ndalur tek gara e për kryetar të ri të Partisë Demokratike, Basha tha se të dielën sytë e shqiptarëve do të jenë sërish drejt PD-së, si e vetmja shpresë për demokracinë dhe ndryshimin që njerëzit e presin.

Nga kjo garë sipas liderit të PD-së, kjo parti politike do të dalë më fortë dhe më e vendosur për të vazhduar betejën dhe se do t’ i thotë jo diktaturës.
“Ne jemi e vetmja forcë politike që kemi fuqinë dhe moralin, kemi të drejtën dhe detyrën ta organizojmë këtë shumicë drejt betejës dhe drejt përmbysjes së regjimit. Ndaj miqtë e mi për këto arsye sytë e shqiptarëve do jenë përsëri te Partia Demokratike e Shqipërisë këtë të diel, pasnesër, siç ka qenë në çdo udhëkryq të rëndësishëm të historisë tonë sepse shqiptarët do të presin përgjigje nga 13 qershori për masakrën zgjedhore.

Një përgjigje të saktë dhe të fortë për rënien e demokracisë, për pengimin e dhunshëm të ndryshimit për Shqipërinë dhe shqiptarët. Nëse nga 13 qershori ne do të pranojmë kokë ulur padrejtësitë që rëndojnë mbi demokratët dhe shqiptarët, nëse do të pranojmë në heshtje apo me alibi modelin e Edi Ramës, të oligarkisë, krimit, pushtetit dhe shtetit bërë njësh, atëherë të jeni të sigurt që na pret një natë e gjatë e ngjashme me atë që lamë pas në vitin 1990-të falë kurajës së themeluesve tanë të lëvizjes së dhjetorit dhe atyre që qëndruan përballë diktaturës.

Po unë e di që me 13 qershor nga Fieri do të buçojë fuqishëm përgjigjja, përgjigjja që presin shqiptarët. Ne do t’i themi jo masakrës zgjedhore. Ne do t’i themi jo hijes së diktaturës që po vërtitet përsëri mbi vend. Ne do themi jo pengmarrjes me dhunë shumicës nga pakica të bashkuar”, u shpreh Basha.

Ai gjithashtu theksoi se demokratët e Fierit u treguan të vendosur përballë makinerisë mizore elektorale.

“Përkundër masakrës zgjedhore, anembanë Fierit, sikundër anembanë Shqipërisë, ju vendosët zemrat tuaja, vendosët pasionin tuaj për liri dhe demokraci përballë makinerisë më mizore të masakrës zgjedhore, elektorale që ka vënë ndonjëherë në punë ndonjë forcë politike jo vetëm në Shqipëri, por në Ballkan. Vëllezër dhe motra, bashkimi i zemrave tuaja bëri të mundur që në këtë betejë dega e Fierit, sikundër demokratët anembanë Shqipërisë, të arrinin të sheshonin mosmarrëveshjet, ju ditët t’i linit ato mënjanë dhe të bashkoheshit, sepse kjo familje politike ka një mision për të cilin ka lindur, t’i dal zot Shqipërisë, t’i dal zot shqiptarëve.

U futët në këtë betejë të gjithë bashkë të vendosur për ndryshimin, për misionin me të cilin na ngarkuan shqiptarët.

I qëndruat besnik vlerave tona. Që nuk u dhatë për asnjë çast para të zezës, para të keqes, para anti-vlerave. Që zbritët në mejdanin e një beteje të pabarabartë siç e dinim që do të zhvillohej, duke pasur përballë jo thjesht një makineri të partisë shtet të përforcuar nga bandat dhe paratë e oligarkëve e të korrupsionit shtetëror, por duke pasur përballë një kundërshtarë politik si Edi Rama, i cili prej ditës së parë demokratët, opozitarët nuk i konsideron kundërshtarë, por armiq dhe si të tillë i ka trajtuar demokratët fierakë, si armiq në jetët tuaja private, duke ju shkatërruar normalitetin e jetës, normalitetin e fëmijëve tuaj duke u përpjekur të asgjësojë shpresën për një të nesërme.

Unë e di sakrificën tuaj, e di se është e pamundur jo në një, por në dhjetë fjalime të rrëfehet se çfarë do të thotë kjo për ju dhe familjet tuaja, e di dhe e njoh edhe forcën e zemrës tuaj, e cila ju solli në këtë betejë jo sepse ishit të detyruar, por sepse ishit të vendosur për të bërë gjithçka, jo thjeshtë për tu hakmarrë ndaj një kundërshtari barbar, harbut dhe të korruptuar, por për të marrë të drejtën në emër të çdo qytetari fierak, në emër të çdo qytetari shqiptar, në emër të Shqipërisë dhe në emër të demokracisë”, tha Basha.

Loading...