Media greke, “Athens Voice” ka publikuar sot një artikull që ua dedikon suksesit në botë të këngëtareve shqiptare, Dua Lipa, Rita Ora dhe Bebe Rexha.
Artikulli hapet me titullin, “Dua Lipa, Rita Ora, Bebe Rexha: Idhujt botërorë të pop-it nga Shqipëria” dhe flet për një fenomen që iu ndodh shqiptarëve në Greqi, aty ku nuk mund të flasin lirshëm për origjinën e tyre.
“Le te jemi të sinqertë. Ne jetojmë në një vend ku, ndonëse kemi shumë njerëz me rrënjë shqiptare, shpesh ata trajtohen në atë mënyrë që ndjejnë nevojën për të fshehur prejardhjen e tyre.
Nuk janë të paktë ata artistë që ndihen se janë në gjendje të thonë publikisht se janë nga Shqipëria,. vetëm nëse kanë arritur një sukses të madh që do t’i mbronte ata dështimi profesional për shkak të origjinës”, shkruan media, me siguri duke iu referuar Eleni Foureira-s e cila vazhdimisht mohonte origjinën në fillimet e karrierës.
“A është ky absolutisht një fenomen grek?
Natyrisht, ne nuk mund ta dimë këtë me siguri, por ajo që mund të themi 100% është se në vende si SHBA dhe Britania e Madhe, artistët kanë arritur të bëjnë karriera të jashtëzakonshme dhe të bëhen disa prej emrave më të mëdhenj të industrisë muzikore të botës, jo vetëm duke mos fshehur rrënjët e tyre shqiptare, por vazhdimisht duke folur për to me krenari”, vijon artikulli i shkruar nga Nicoletta Stamatis.
Duke nënvizuar se ky artikull është i veçantë në llojin e vet, nuk mund të rrimë pa përmendur edhe fakte të tjera që nënvizon ai, si rëndësia për të mos harruar origjinën dhe për ta deklaruar atë me zë të lartë:
“Në çdo rast ato flasin për origjinën e tyre dhe u japin dashurinë e tyre njerëzve me të cilët ndajnë të njëjtat rrënjë, ndërsa në të njëjtën kohë provojnë se nëse ka talent, nuk ka rëndësi nga ke ardhur dhe si je rritur”.
Më pas shkrimi vijon flet për tre artistet shqiptare, vlerësimet ndërkombëtare që kanë marrë dhe mënyrën sesi vazhdimisht e thonë me krenari që janë SHQIPTARE!