Mediat ndërkombëtare: Ermonela Jaho, një engjëll i zjarrtë

Sopranoja Ermonela Jaho me operën “Ana Bolena” po vijon me suksesin e saj në skena të huaja.

Sopranoja Ermonela Jaho interpreton rolin kryesor në operën e Donizzetit “Anna Bolena” në premierën e këtij produksioni të ri, që hapi siparin e Opera Australia në 2 korrik, për të vazhduar shfaqjet në datat 6, 9, 13, 17, 20, 23 dhe 26 Korrik.

“The Economist” dhe “Financial Times”, kanë shprehur vlerësime për sopranon shqiptare për interpretimin e saj në operën “Ana Bolena” .

“Një engjëll i zjarrtë”, kështu e cilëson “The Economist” sopranon shqiptare Ermonela Jaho për interpretimin e rolit të Ana Bolenës në operan e Donizzeti-t. Revista prestigjioze vijon më tej duke shkruar, “e njohur për të falur zemrën dhe shpirtin e saj në skenë”, ndërsa “Financial Times”shkruan “Mos u përpiqni as të rezistoni”, për performancën e saj.

Nga viti 2009, karriera e saj e kthen atë në një ikonë arti botërore. Fitoi shpejt sukses nëpër botë, me lavdërime të shumta nga kritikët. Ajo vazhdon të paraqitet me La rondine të Puçinit në Trieste, Karmen në Glyndebourne dhe La Traviata në Lion. Në 2009, ajo vjen si Liu (Turandot) në Filadelfia, Vitellia (La Clémence de Titus) në Avinjon, dhe Ana Bolena në Paris. Në tetor 2010, ajo duartrokitet në rolin kryesor Thais (e kompozitorit Zhyl Masene) në operën e Tulonit.

Në prill 2011, ajo luan rolin e Luizës në Luiza Miller e Verdit në operën e Lionit, nën regjinë e David Alden. Në tetor 2013, ajo këndon në La Vestale (Spontini) në Teatrin e Champs Elysees. Për hapjen e sezonit 2013-2014 në operën e Grand Avignon, ajo risjell rolin e Cio-Cio-San në Madama Butterfly, nën regjinë e Mireille Laroche.

Në shtator 2014, ajo shfaqet si Violeta e Traviatës në Operën Bastille, dhe në tetor vjen me një recitim në sallën Cortot të ‘Ecole Normale de Musique de Paris’, e shoqëruar nga Genc Tukiçi. Pasi risjell rolin kryesor të Madamës Butterfly ne 2015, në janar 2016, ajo është Desdemona e Othellos (Verdi) në Teatrin e Madh të Liceut në Barcelonë. Në shkurt 2017, ajo vjen përsëri si Violeta e Traviatës në Sydney Opera House, ku vlerësohet shumë, duke vijuar me suksese të tjera aktivitetin e saj. /atsh

Loading...