Mediu: “Edi Rama ka shpërfytyruar shtetin dhe shtetarin”

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ishte i ftuar në Ditarin e orës 13:00 nga ku komentoi mbledhjen e zhvilluar sot në Komisionin e Hetimor për shkarkimin e Presidentit, ku i pranishëm ishte edhe zoti Meta.

Po ashtu, Mediu nga studio e A2 foli edhe për aksionin e opozitës dhe rrugën që duhet të ndjekë për të arritur synimet dhe nxjerrjen e vendit nga kriza.

“Sot ishte shfaqja më e turpshme e Kuvendit të Shqipërisë, deputetë që nuk njohin as Kushtetutën, por i shërbejnë verbërisht urdhrave politikë. Nga ana tjetër, Presidenti, me përgjegjësinë dhe me autoritetin që i jep Kushtetuta, shpjegoi vendimin e tij për shtyrjen e datës së zgjedhjeve, e cila nuk u respektua për shkak të urdhrit politik të Edi Ramës.

Ku objekt hetimi ishte i ndërtuar qëllimisht nga ana e Partisë Socialiste, e cila pas raportit të OSBE/ODIHR duhet të kishte një reflektim. Interesi i tyre politik dominon mbi interesin kombëtar. Më bëri përshtypje analiza e Presidentit, më tërhoqi vëmendjen qëndrimi i tij kur tha se nuk donte të kishte një Rajshtag në Shqipëri”.
Komisioni Hetimor ndaj Presidentit, orientim të ri situatës në vend?

“Ky komision është një zgjatim i pavlerë. Edi Rama ka shpërfytyruar shtetin dhe shtetarin. Sot shqiptarët mendojnë se shteti dhe shtetari janë një gjë e keqe. Rama e ka bërë këtë qëllimisht. Nuk ka parlament.

Jemi në një vend ku nuk kemi as Gjykatë të Lartë e as Prokurori. Edhe Partia Socialiste është drejt degradimit”.

Vjeshta e opozitës

“Opozita duhet të bëjë një rivlerësim të pozicioneve të veta dhe të krijojë një plan veprimi që i shërben interesave të kombëtar dhe më pas qëllimeve të saj politike. Qëllimi i opozitës duhet të jetë krijimi i shtetit shqiptar. Sot jemi në një republikë bananesh. Ka elementë të rëndësishme reformash që kërkojnë angazhimin e opozitës dhe ne nuk mund ta lamë fatin e shqiptarëve të jetë pjesë e kësaj tragjikomedie. Është e rëndësishme që parlamenti të jetë përfaqësues i qytetarëve. Sot nuk e kemi, pasi është shpërfytyruar. Mendoj se opozita duhet të riinstitucionalizojë marrëdhëniet, e cila nuk duhet të jetë as spontane dhe as rutinore. Mendoj se është e rëndësishme që të ketë një vendimmarrje më kolegjiale, një organizim të niveleve të dyta për të gjithë aksionin, duhet të ketë një nivel më të integruar me ndërkombëtarët. Duhet të ketë struktura që sjellin ide të reja. Gjithashtu, ka ardhur koha që ne duhet të kuptojmë që nuk jemi vetëm ne. Historia e kësaj të djathte ka njohur vlera dhe figura, veprime e qëndrime, të cilat duhen marrë në analizë. Në këtë pikëpamje mendoj se duhet të krijohen struktura të pëërfshirjes së njerëzve aktivë në parlament, jo si konjuktur bukurie, por që kanë thelb e qëndrim”.

“13 tetori”

“Urdhri politik i PS ndaj KQZ ishte që të mos mblidheshin, duke kryer një krim. Për sa kohë që struktura që merret me këtë, është në pamundësi për të zhvilluar zgjedhje. Kushti për largimin e Ramës është kusht faktit për shkak të situatës së krijuar. Opozita për ta bërë të vlefshme këtë kërkesë nuk është e nevojshme të flasë në konferenca shtypi. Dokumenti i OSBE/ODIHR është dëshmia e falimentimit të shtetit nga ana e Edi Ramës. Në eksperiencën e vitit 2001 e kemi provuar një situatë pak a shumë të ngjashme. Ne mblodhën të gjitha materialet dhe faktet dhe shkuam derë më derë te ndërkombëtarët për të mbështetur një proces të lirë zgjedhor dhe ia arritëm. Këtë rrugë duhet të ndjekë edhe opozita sot. Opozita duhet të jetë këmbëngulëse në zhvillimin e një dialogu institucional me përfshirjen edhe të faktorit ndërkombëtar”.

Loading...