Mentor Kikia: “Nuk ka mbetur më rërë pa ngulur shezllonet”

Gazetari Mentor Kikia shprehet se plazhet shqiptare janë zaptuar nga bizneset private dhe nuk kanë mbetur më plazhe publike.

I ftuar në emisionin ‘Arena’ të Dritan Hilës, Kikia tha se të gjithë shtetasit kanë të drejtë të pushojnë në plazhet publike sepse paguajnë taksa.

Mentor Kikia: Ai që do të bëjë biznes, merr sipërfaqen që i takon, paguan taksa, por kjo nuk do të thotë që duhet të përjashtohet nga e drejta për të bërë plazh edhe ai që nuk i ka ato 5 euro. Ai që nuk i ka ato 5 euro që të ulet tek ky shezllon çfarë duhet të bëjë? Duhet të shkojë të lahet në Lanë ai?

Dritan Hila: Ti këtë llogjikë pse nuk e pranon kur shkon në një restorant me 5 yje dhe të vijë një tjetër. Lëre atë se po vjen me bukë me vete.

Mentor Kikia: Nuk po i shkon pushuesi shqiptar t’i ulet në shezllon, as në tavolinë me bukë me vete. Duhet që në këtë pjesë të territorit që quhet Republika e Shqipërisë çdo shtetas ka të drejtë ta vërë prapanicën në rërë dhe të lahet në det. Të shkosh në plazhet e gjirit të Durrësit kanë mbetur apo nuk kanë mbetur 300 metra rërë plazh publik. Unë e shkel plazhin çdo vit. Nuk ka mbetur më rërë pa ngulur shezllonet.

Loading...