Deputetët në Kongresin e shtetit të New Yorkut arritën sot një marrëveshje për legalizimin e shitjes së marihuanës për qëllime rekreative.
Të paktën 14 shtete amerikane tashmë i lejojnë banorët të blejnë marihuanë për përdorim rekreativ, jo vetëm mjekësor.
Demokratët, të cilët tani kanë një shumicë, e kishin prioritet kryesor miratimin e këtij ligji gjersa administrata e guvernatorit demokrat, Andrew Cuomo vlerëson se legalizimi mund t’i sjellë shtetit rreth 350 milionë dollarë në vit.
Ligji do të lejojë shitjen e marihuanës tek të rriturit mbi moshën 21 vjeçare dhe të vendosë një procedurë për lëshimin e lejeve për shpërndarjen e produkteve të kanabisit te klientët, raporton ap.
Njujorkezët mund të rritin deri në tre bimë të pjekura dhe tre të papjekura për përdorim personal.
Ligji mund të hyn në fuqi menjëherë pas miratimit, por shitja do të fillonte pas një viti e gjysmë deri në dy vjet.