Të shumtë ishin ata që mes dhimbjes e lotëve i dhanë lamtumirën e fundit të riut shqiptar që mbeti i vrarë në Turbigo të Italisë më 16 Shtator, pasi bashkë me miqtë e tij ndërhyri për të mbrojtur një vajzë që u sulmua nga partneri i saj.
Emanuel Rroku, vetëm 23-vjeç, u përcoll për në banesën e fundit të premten. Pas heshtjes që u mbajt në shesh dhe vigjiljes së lutjeve, u mbajt ceremonia mortore në kishën e Turbigos. Lumë njerëzish morën pjesë në varrim. Përveç familjarëve, miqve, shumë prej të cilëve bashkëkombës, lamtumirën e fundit ia dhanë edhe shumë qytetarë. I pranishëm ishte edhe kryebashkiaku Fabrizio Allevi.
Vrasja tragjike e shqiptarit që jetonte prej vitesh në Itali tronditi mbarë komunitetin atje. Administrata e Turbigos e shpalli të premten ditë zie qytetare në nder të të riut.