Një mesazh në platformën e bashkëqeverisjes, “shqiperiaqeduam.al”, do të ndryshonte jo vetëm jetën e familjes Astrit Muka në Budull të Krujës, por veçanërisht të djalit të tyre 9-vjeçar, me aftësi ndryshe.
Nëna e tij, Adelina prej vitesh përkujdesej gjatë gjithë kohës për djalin e saj, madje e shoqëronte edhe për në shkollë. Menjëherë pas një mesazhi në platformën e bashkëqeverisjes gjithçka ndryshoi.
“MIRËMËNGJES , dhe me këtë shembull se si qeveria u gjendet njerëzve të zakonshëm pranë, si asnjëherë më parë duke zgjidhur mijëra halle e probleme vetjake, familjare e komunitare, ju uroj një fundjavë të qetë”, shkruan kryeministri Edi Rama.
“Mes dhimbjeve për të rritur një fëmijë me autizëm jeta po më ofron vështirësi të tjera. Mu premtua vjet si nga shkolla dhe ZA e Krujës, se do të binin një mësues ndihmës por vetëm premtim. Mbeti mamaja me djalin çdo ditë në shkollë. Me shpresën te i madhi Zot dhe me besim tek ju jam në pritje se ky hall për mësues ndihmës të më zgjidhet”, ishte ky mesazhi Astrit Mukës drejtuar platformës së bashkëqeverisjes.
Drejtoresha e ZA Krujë, Dorina Laçi u shpreh se ishte në dijeni të këtij rasti edhe një vit më parë, por ishte e pamundur që fëmijës ti siguronin një mësues ndihmës. “Këtë vit të ri shkollor ne morëm mësues ndihmës për fëmijën e z.Muka, por edhe për dy fëmijë të tjerë me aftësi ndryshe në këtë shkollë”, tha ajo.
Mësuesi ndihmës, Mhill Qydi tha se me “punoj me një program të veçantë, që është më i detajuar dhe shikoje se hap pas hapi ky fëmijë po e merr vetën, fillon të shkruajë dhe hera herës shqipton edhe fjalë. Kjo kategori fëmijësh kërkon shumë përkushtim vëmendje por edhe njëkohësisht edhe shumë bashkëpunim qoftë me mësuesit brenda klasës”.Për mësuesin ndihmës, “kjo është një punë që të falë shumë kënaqësi shumë dashuri por është edhe sfidë pasi kërkon të gjesh të veçantat te kjo kategori fëmijësh dhe të mos e ndjejnë veten larg të tjerëve dhe të jenë në gjendje që të mund ti shërbejnë vetvetes”.ATSH