Leo Messi nuk ka folur për futboll në prononcimin e fundit. Ylli i Barcelonës ndjen dhimbje të madhe për të gjithë jetët e humbura nga koronavirusi.
Periudhë e vështirë të gjithë, por sidomos për ata që kanë humbur të dashurit e tyre, madje pa pasur mundësi t’i varrosin siç duhet.
Gjërat nuk do të jenë më njësoj në ardhmen, kështu mendon Messi në fjalët e thëna për El Pais Semanal.
“Pothuajse të gjithë jemi në dyshim se si do të jetë bota pas kësaj ngjarje. Shumë njerëzve u është dashur të përballen me momente shumë më komplekse, kjo situatë ka shkaktuar shumë probleme. Shumë njerëz kanë humbur familjarë dhe miq të tyre. Nuk kanë pasur mundësi as të përshëndeten me ta”, tha ai.
“Mendoj se kjo krizë ka krijuar kaq shumë probleme, por kurrë nuk do të jenë aq serioze sa humbjet e jetëve. Nuk ka gjë më të keqe se sa të humbasësh të dashurit e tu. Kjo gjë, e përsëris, më krijon shumë irritim dhe mërzitje, sepse më duket gjëja më e padrejtë nga të gjitha. Futbolli, por edhe vetë jeta, nuk do të jenë më si para koronavirusit. Do të kthehemi në normalitet, por do të jetë një normalitet i ri”, përfundon Messi.