Presidenti Ilir Meta deklaroi se krimet më të mëdha dhe më të ndëshkuara për vendin tonë do të jenë prekja e Kushtetutës dhe e votës.
Në një prononcim për mediat nga Korça ai lakoi dhe dënimin më të ashpër që përdorej në Mesjetë, ku ndëshkoheshin hajdutët me prerje gjymtyrësh. Sipas tij, kush prek votën, duhet t’i pritet dora.
“E gjithë vëmendja e Shqipërisë dhe shqiptarëve do të jenë të zgjedhjet.
Shqipëria do të jetë vend që ka shpresë, dhe jo e 5 oligarkëve. Që i marrin shpirtin këtij vendi. Nuk ka ndodhur kurrë që të rritet borxhi publik dhe varfëria.
Borxhi nuk merret për të ndihmuar njerëzit në vështirësi, por merret për PP, që nuk kanë asnjë çmim. Të ardhurat shkojnë poshtë. Zgjedhjet do të zgjidhin sundimin e ligjit. Pas 25 prillit, Shqipëria do të hyjë në një epokë të re, në çdo rast.
Të dy do të jenë krimet më të mëdha dhe më të ndëshkueshme. Prekja e Kushtetutës dhe vjedhja e votës. As presja e Kushtetutës nuk do të preket më.
Kush prek një votë t’i pritet dora, si në Mesjetë. Meqë dënimin me vdekje e kemi të ndaluar.”, tha Meta.