Meta dekoron “Flamurtarin” e viteve 1986-87 me “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”

Presidenti i Republikës Ilir Meta vlerësoi sot në një të ceremoni të veçantë të mbajtur në teatrin “Petro Marko” në Vlorë, arritjet e ekipit të futbollit “Flamurtari” në vitet 1986-87 si dhe disa nga futbollistët më të spikatur vlonjatë të asaj periudhe.

Gjatë ceremonisë, në kujtesë së ndeshjeve të paharrueshme me “Partizanin” e Beogradit dhe “Barcelonën”, Presidenti Meta dekoroi me titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” ekipin e futbollit “Flamurtari” të vitit 1986-87: “Për rezultatet historike në futbollin shqiptar, veçanërisht në përballjet për kupat e Europës (1986-1987), duke manifestuar vlerat më të mira të sportit tonë, në arenën ndërkombëtare”.

Presidenti i Republikës vlerësoi gjithashtu me titullin “Mjeshtër i Madh” ish-qendërmbrojtësin e shquar vlonjat Kreshnik Çipi me motivacionin:

“Për talentin dhe personalitetin e tij të gjithanshëm të treguar në lojën e futbollit, duke dëshmuar cilësi të rralla si protagonist e kapiten i skuadrës së ‘Flamurtarit’ dhe titullar i ekipit kombëtar.”; ish-sulmuesin Sokol Kushta: “Për talentin dhe përkushtimin në arritjen e rezultateve të larta në kampionatet kombëtare dhe përfaqësimin dinjitoz në arenën ndërkombëtare të futbollit tonë.”; ish-mbrojtësin Rrapo Taho: “Për profesionalizmin në lojën e suksesshme të tij, duke u bërë një fortesë e pakalueshme e mbrojtjes vlonjate, si dhe për kontributin në ekipin kombëtar.”; ish-mesfushorin Latif Gjondeda: “Për aftësitë e tij drejtuese në lojën e futbollit si mesfushor i spikatur i skuadrës ‘Flamurtari’, duke treguar cilësi të larta menaxhimi si një lojtar profesionist i suksesshëm.” dhe ish-mbrojtësin Petro Ruci (pas vdekjes): “Për aftësitë e treguara dhe këmbënguljen, në mbrojtjen e skuadrës vlonjate me lojën e spikatur prej profesionisti, ku u shqua për pasionin, përkushtimin dhe suksesin gjatë gjithë karrierës si futbollist.”

Në fjalën e tij me këtë rast Presidenti Meta vuri në dukje se: “Ceremonitë e dekorimit për legjendat dhe ikonat e futbollit shqiptar, gjithmonë i përjetoj me emocione të veçanta dhe me kujtime të pashlyeshme, ashtu si çdo shqiptar që jeton me dashurinë dhe magjinë këtij sporti kaq popullor”.

“Ekipi i Flamurtarit dhe ‘heronjtë e tij’ në fushë, pa asnjë mëdyshje, kanë bërë epokë në historinë e futbollit shqiptar. Ndeshjet e mrekullueshme dhe rezultatet fantastike të ‘Flamurtarit’ në vitet 1986-1987, na bëjnë edhe sot pas më shumë se 30 vitesh, krenarë duke lartësuar jo vetëm emrin e qytetit të Vlorës, por edhe të futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare. Rezultatet e suksesshme të ‘Flamurtarit’ përballë ‘skuadrave titane’, më të mira të kohës, siç ishte “Barcelona”, kanë lënë gjurmë të thella në krenarinë tonë kombëtare. Të gjithë i kujtojmë me nostalgji ndeshjet në Vlorë dhe golat magjikë të të mëdhenjve, Vasil Ruci e Sokol Kushta, me të cilat u trondit ‘Barcelona’ e yjeve të futbollit botëror, si Zubizarreta, Shuster e Geri Lineker. Futbolli vlonjat ka nevojë të vlerësojë historinë e tij të lavdishme dhe unë besoj se Vlora e ka një potencial të tillë dhe sot. Dëshiroj t’u drejtohem lojtarëve të dikurshëm, që suksesin e arritur në ato vite, ta përcjellin te futbollistët e sotëm vlonjatë dhe të mbarë Shqipërisë, për të kultivuar tek futbollistët e rinj pasionin dhe dëshirën për futbollin. Po kështu fitorja e Flamurtarit këtu 2-0 me “Partizanin” e Beogradit dhe sidomos goli gjunjëzues i Kushtës në Beograd janë gdhendur në memorien e çdo sportdashësi, vlonjat e shqiptar”, u shpreh Meta.

“Gjithashtu vlerësimin me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’, dëshiroj t’ua akordoj lojtarëve të spikatur të këtij ekipi, që me lojën dhe shpirtin e tyre të garës respektohen dhe sot nga mbarë sportdashësit shqiptarë, si:

Kapitenin e skuadrës Kreshnik Çipi;

Qendërmbrojtësin e pakalueshëm Rapo Taho;

Sulmuesin e mjeshtrin e golave Sokol Kushta;

Dirigjentin e mesfushës Latif Gjondeda;

dhe Petro Rucin që nuk ndodhet më mes nesh.

Ju falënderoj për gjithçka keni bërë, për sukseset e arritura, për krenarinë dhe kënaqësinë që u keni dhuruar tifozëve vlonjatë dhe gjithë shqiptarëve!

Ju uroj shëndet dhe lumturi juve dhe familjeve tuaja!” – u shpreh në fjalën e Tij, Presidenti Meta.

Ish-lojtarët dhe figurat e shquara sportive vlonjate firmosën fanellën e “Flamurtarit”, e cila do të zërë vendin e saj të merituar në memorialin e krijuar me këtë rast në Institucionin e Presidentit të Republikës. /atsh

Loading...