“Ilir Meta e ka humbur të drejtën të qëndrojë në zyrën e Presidentit të Republikës, për sa kohë që fuqia e popullit sovran është tek Parlamenti. Padiskutim, për sa kohë që Parlamenti ka jo vetëm të drejtën, por ka detyrën të reagojë në emër të sovranit nëse Presidenti çmendet”.
Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në një takim elektoral në bashkinë e Divjakës.
“Ilir Meta ka kryer një akt të panjohur në historinë jo vetëm të republikave parlamentare, por të qeverisjes së botës: firmos dhe çfirmos. Sikur vota të hynte në logjikën e Ilir Metës që firma e çdo autoriteti të ishte e mundur të zhbëhej nuk do të kishte më shtet, rregull, drejtim, por do bëhej mbarë bota një rrumpallë e madhe”, – theksoi Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “prandaj kjo do të mbetet një vepër e shëmtuar, një vepër papërgjegjshmërie dhe një vepër që nuk mund të as të pranohet e as të tolerohet”./atsh