Presidenti Ilir Meta më shumë se një herë ka bërë thirrje për reflektim në mënyrë që vendi të mos shkojë 3 dekada pas.
“ Të mos bëjmë sikur nuk po shikojmë se sistemi i rregullave demokratike është tronditur rëndë. Të mos vazhdojmë të ecim drejt humnerës, dhe të përsërsiten gabimet që i kushtojnë vendit”, tha Meta.
Më tej në intervistën për “OraNews”, Meta u shpreh se “kriza institucionale nuk është krijuar nga opozita”. Ai theksoi se vendi është pa Gjykatë Kushtetuese dhe kjo është përgjegjësi e mazhorancës.
“Kam qenë kundër vetingut në Gjykatën Kushtetuese kur ka qenë debati për ndryshimet kushtetuese.
Sepse Gjykata Kushtetuese ka qenë e pranuar nga dyja palët PD dhe PS. Asokohe kam marrë garanci se kjo nuk do të ndodhë (shkrirja e Kushtetueses). Opozita ska asnjë përgjegjësi për reformën në drejtësi”, theksoi Meta.
I pyetur nëse ai do të negociojë për zgjidhjen e krizës, Meta tha se “unë do të takohem me të gjithë edhe me KM Rama edhe me përfaqësues të shoqërisë civile që kanë përgjegjësi për vendin, pasi nuk mund të kthehet në një lojë të fortësh dhe askush të mos mbajë përgjegjësi. Unë shpresoj për reflektim nga të gjitha palët”.
Ndërsa i pyetur për zgjedhjet e 30 qershorit, Meta tha me ironi: “Shpresoj të jenë të qeta dhe opozita të shkojnë me pushime…”
Ndërsa pas insistimit të gazetares se: A mund të ketë zgjedhje pa opozitën? Meta u shpreh: “Edhe nëse opozita do qendronte kokëulur, zgjedhjet pa opozitën do të ishin një shëmti e madhe, që askush në botë as në vend s’do mund ti kapërdinte”.