Presidenti Ilir Meta iu përgjigj sot nga Malësia e Madhe sërish kryeministrit Rama për çështjen e dhënies së dekoratave prej tij, sidomos për personazhet që kanë vdekur.
I ndodhur në ceremoninë e përkujtimit të “100-vjetorit të luftës së Koplikut” Presidenti sqaroi arsyen se pse po jep dekorata.
Duke i dhënë një mesazh kryeministrit Rama, ai u shpreh se askush të mos mendojë që në këtë vend mund të vritet ndjenja kombëtare dhe të bëhet gjaku ujë. Ai po ashtu tregoi historinë e tij familjare dhe tha se luftën e kishin në gjak.
“Kemi bërë bashkë jo vetëm Sulejman Delvinën, Avni rustemin, Ahmet Zogun e Bajram Currin, e kemi bërë vetëm për një qëllim, për të mbrojtur dhe shpëtuar shtetin shqiptar, për t’ju imponuar me armë atyre fuqive që donin të kënaqnin fqinjët tanë, që s’ishin ngopur me trojet tona.
Ndaj kam bërë përpjekje brenda këtij viti për të dekoruar këto personazhe. Kam bashkëpunuar me Akademinë e Shkencave dhe historianët e njohur dhe gjithë vlerësimet janë bërë prej tyre.
Meraku im dhe shqetësimi im ka qënë që të gjithë të mos kalojmë në heshtje ngjarje të tilla kaq të mëdha. Thonë c’na duhen këto dekorata që ju jepen të vdekurve?
Fan Noli thotë për Skëndërbeun se do mbetet më i gjalli ndër gjithë shqiptarët. A mund të kondsiderohet i vdekur Vojo Kushi? Jo ai ka bërë atë që do bëjë cdo shqiptar që nuk e pranon pushtimin dhe do ta tmerrojë edhe në sekondën e fundit të jetës së tij. Se kuptoj këtë shqetësim. Si mundet përfaqësues të qeverisë të thonë kush e mori dekoratën e Vojo Kushit? Unë do ta kisha për nder ta mbaja në Presidencë atë dekoratë, por pyes përse ky shqetësim? E mori një kushëri i tij Vasil Kushi. Pse ky merak për dëshmorë e heronj? Pse do merremi me njerëz që kanë vdekur para se të lindte Meta thonë? Por unë them a ka ndonjë Atdhe pa derdhur gjak, pa heronj, pa dëshmorë?
Çfarë na mëson Fishta: O perëndi Tradhtarët na lanë pa atdhe dhe ti rri kot gjun rrufe nëpër male, bjeru tradhtarëve tha. Populli shqiptar ka vuajtur shumë, ka luftuar shumë. Të parët tanë erdhën nga kudo, nga Amerika, Bukureshti dhe krijuan një shtet ndaj askush të mos mendojë se mund të vritet ndjenja kombëtare dhe bëhet gjaku ujë. E bëj unë për vota? Unë nuk kandidoj për vota, unë vlerësimet për heronjtë i kam bërë kurdo. Luftoj për të mbajtur gjallë ndjenjën kombëtare. Se sot nuk duhet të luftojmë si para 100 vitesh por që të mos jemi ne të fundit në raport me BE, të mos jemi në të parët për azil.
A është normale kjo, patriotizmi jonë është ta zhvillojmë Shqipërinë, për të gjithë shqiptarët që ikin. Përvec kësaj kam edhe sqarim personal: Ju e dini që kam qënë pjesë e lëvizjes studentore Azem Hajdari. S’kam qënë i persekutuar, por një familje normale. Unë kam pasur një problem që kam lindur në një fshat 1 mijë metra mbi nivelin e detit, ne Cepan të Skraparit, ka qënë spital partizan shtëpia ku linda. Të gjithë i kam pasur gjyshërit partizanë. Ne luftën e kemi të shenjtë, e kemi në gjak. Jam i lumtur si ju që jam krenar nga kjo krahinë. Ne krenoheshim në bazë të sakrificave që bënim kundër pushtuese.
Nga krahina nga vij unë kanë qenë 4 çeta në luftën e Vlorës. Fshati nga vij unë ishte çetë më vete. Të pakta ishin familjet që nuk çuan një burrë në luftën e Vlorës. Ato ishin familje që përçmoheshin. Për ata që s’kishin qenë në Vlorë thuhej: Shiko po nuk ishte ku t’i linte dhitë, doli fjala kishte hallin e bagëtisë jo të Shqipërisë. E them këtë se nuk bëj lojë për dekorata, unë punoj të mos bëjë lojë me interesat e kombit se janë amanet i atyre që kanë dhënë jetën. Të mos marrin më nëpër gojë as heronj e as dëshmorë, të mos vënë në diskutim historinë e vendit tonë, por të shohim përpara që të çelim negociatat e të rrisim shpresat e të rinjve, t’i rikthejmë ata që ende nuk shohin një mundësi këtu”,- u shpreh Meta.