I pranishëm në një bashkëbisedim me studentët ekselentë të “UET”, Meta e krahasoi situatën politike në Kosovë, me atë që është në Shqipëri.
Në analizën e tij, Meta tha se Kosova ka treguar se ka të njëjtin model si Danimarka, dhe sistemi zgjedhor u dha mundësi qytetarëve që të zgjedhin midis shumë kandidatëve për deputetë. Meta ka thënë më tej se drama e Shqipërisë fillon në 2008-n, pas marrëveshjes së Berishës me Ramën.
“Lidhur me Kosovën, mirë shumë nuk ndihemi, pasi na duket sikur zgjedhjet në Kosovë ishin si zgjedhjet në Danimarkë, në raport me disa probleme.
Jo se shqiptarët këtu nuk duan të bëjnë zgjedhje të tilla, por lidershipi politik ua ka bërë të vështirë.
Zgjedhjet në Kosovë kanë veçanti edhe sistemin elektoral. Ata kanë lista të hapura. Voton për partinë, dhe për listën e kandidatëve.
Ajo që i bëri këto zgjedhje konkurruese është që LDK të vendoste si kandidate për kryeministre një figurë që herën e kaluar ishte vendosur e 87-ta në listën e partisë dhe kishte dalë e para apo e dyta në gjithë Kosovën.
Kjo i dha rritje LDK-së. Pra ka një meritë sistemi, sepse i jep mundësi qytetarit të shprehë mendimin e tij, dhe i vendos partitë nën presion për të vënë në krye figura sa më përfaqësuese.
Drama jonë fillon në vitin 2008. Ne kemi pasur një Kushtetutë shumë të mirë të miratuar në 1998, për të mos përsëritur ato që kishin ndodhur.
Ajo që ndodhi në 2008 me listat e mbyllura është një problem i madh.
Nuk është se i kemi partitë demokratike, dhe bëjnë përzgjedhje të emrave, dhe që atëherë edhe partitë u bënë më të mbyllura. Nuk ka më deputetë që bëjnë oponencë.
Kjo e ka goditur në thelb dhe në zemër demokracinë parlamentare. Kjo duhet parë me përgjegjësi edhe në kuadër të reformës zgjedhore.
Natyrisht, reforma zgjedhore nuk garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në Kosovë, policia dhe prokuroria reagoi menjëherë”, tha Meta.