Meta mesazh Rames: “I kam të gjitha dosjet.Kam ato që kam firmosur unë si kryeministër, si Ministër i Jashtëm, si President”

Presidenti i Republikës, Ilir Meta deklaroi sot në emisionin “Open” se nuk disponon vetëm të ashtëquajturën “dosje e fasadave” për Ramën, por edhe plot dosje të tjera, që siç u shpreh “një ditë do t’i çoj në Arkivën e Shtetit”.

PJESË NGA INTERVISTA

Gazetarja: Zoti President, ju përmendet në një intervistë një dosje fasadash, lyerjesh, një dosje të Edi Ramës, që e ruani akoma. Ishte akuzë apo shantazh ndaj kryeministrit?
Presidenti Meta: Nuk merrem unë me shantazhe.

Gazetarja: Po pse e ruani akoma?
Presidenti Meta: Ajo, ishte për t’i dhënë një sqarim kolegut tuaj, se po më thoshte mua që thotë Rama se ju keni shqetësime nga drejtësia dhe unë i thashë: Nëse ka ndonjë njeri në këtë vend, që e di më mirë se kushdo tjetër sesa i rregullt jam unë në raport me ligjin, është Rama dhe ata që kanë punuar me mua. Për shembull i thashë kur kam qenë kryeministër dhe Rama ishte ministri im, të gjithë e dinë që në mbledhjet e qeverisë nuk kalonte asnjë vendim pa konsensus. Pra në qoftë se dikush e kundërshtonte, që kishte vërejtje për anën ligjore, financiare apo aspektet e tjera dhe e di aq mirë Edi, sa 4-5 herë janë kthyer mbledhjet e qeverisë, sepse kolegët e tij kundërshtonin aktet që ai sillte, për shembull për çështjen e fasadave. Pra, e kisha në kuptimin e përgjegjshmërisë që unë kam patur dhe e kam gjithmonë në ushtrimin e detyrave të mia në raport me ligjin.

Gazetarja: Nuk është se e keni dosjen e fasadave?
Presidenti Meta: Ato i kam të gjitha unë, se unë çfarë firmos i mbaj për të gjitha një kopje, se ti e ke parasysh se çfarë ndodh këtu. Mund të ndodhë çdo gjë në kuptimin e falsifikimit, të ndërrimit të gjërave.

Gazetarja: Pra, i keni të gjitha dosjet e Edi Ramës?
Presidenti Meta: Kam ato që kam firmosur unë si kryeministër, si Ministër i Jashtëm, si President.
Gazetarja: Dosje të tilla problematike si ajo e fasadave nga Edi Rama, a keni?
Presidenti Meta: Atje duhet të jenë të gjitha në kuptimin e seriozitetit të dokumentimit të çdo akti. Njeriu duhet të jetë i përgjegjshëm për çdo akt që firmos, aq më tepër kur kemi të bëjmë me çështje që kanë të bëjnë më ligjin, që kanë të bëjnë me financat, që kanë të bëjnë me interesin publik.

Gazetarja: I ruani thjesht si materiale arkivore, apo mendoni se do i përdorni një ditë?
Presidenti Meta: Jo, janë materiale të domosdoshme. Ma ka mësuar Anastas Angjeli këtë gjë, që letrat duhen të ruhen të gjitha se është tregues i përgjegjshmërisë publike, se nuk është thjeshtë për histori e për arkiv.
Gazetarja: Mendoni se mund t’i përdorni?
Presidenti Meta: Po, edhe mund t’i përdor në kuptimin e kujtimeve, në kuptimin e rikthimit për të parë relacione, çështje të caktuara, ç’lidhje ka. Por, kjo është çështje e seriozitetit në përmbushjen e një detyre.

Gazetarja: Pra, thjesht i keni ruajtur si arkivë, nuk janë dosje problematike?
Presidenti Meta: Po, si arkivë. Një ditë do i çoj tek Arkivi i Shtetit, që t’i ketë arkivi, t’i kenë edhe historianët kur të gjykojnë për momente të caktuara të këtyre viteve, të këtyre dekadave.

Loading...