Presidenti Ilir Meta ka shkuar këtë të shtunë në Dibër, ku mori pjesë në Ansamblin “Kuvendi i Zall Dardhës”.
Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, kreu i shtetit tregon se një ndër këngët më të dashura për të është edhe ajo e Hajredin Pashës, duke shruar se trimëria dhe heroizmi i dibranëve nëpër luftëra është përjetësuar në këtë këngë.
“Dibra ngeli përherë bastioni dhe barrikada e parë e betejave ndaj vërshimit të hordhive të ushtrive pushtuese në kufirin verilindor të shqiptarëve. Trimërinë dhe heroizmin e dibranëve në luftërat për mbrojtjen e territorit dhe identitit tonë kombëtar, populli e ka përjetësuar në këngë. Padyshim një ndër më të veçantat, dhe një nga më të dashurat për mua është edhe Kënga e Hajredin Pashës. Por më të jashtëzakonshme e bëri për mua, këngëtarja më e re e Ansamblit “Kuvendi i Zall Dardhës”, Elisa Skarra, vogëlushja 10-vjeçare, që të mahnit jo vetëm me talentin e jashtëzakonshëm, por edhe me dashurinë e madhe për Atdheun e rrënjët e të parëve. Një falenderim të veçantë kam për prindërit e saj që kanë mbajtur gjallë traditat dhe kanë trashëguar tek brezi më i ri vlerat tona më të mira kombëtare. Model frymëzimi për të gjithë! Ju përshëndes me këtë interpretim virtuoz të artistes sonë Elisa Skarra”, shkruan Meta.