Abaz Aliu të na japë forcë të gjithëve në rrugën tonë për një Shqipëri më të drejtë, për një Shqipëri më të bashkuar, për një Shqipëri të vërtetë europiane, deklaroi Presidenti Ilir Meta i cili mori pjesë sot paradite në pelegrinazhin e përvitshëm madhështor në malin e Tomorit, ku përshëndeti Festën e Shenjtë Bektashiane të Abaz Aliut.
Në prani të Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Haxhi Baba Edmond Brahimaj, Kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, përfaqësuesve të trupit diplomatik dhe mijëra besimtarëve, Presidenti Meta u shpreh: “Kënaqësi të shoh sot më shumë besimtarë dhe mysafirë të nderuar, të cilët janë bashkuar me ne në këtë Festë të Shenjtë, këtu në malin e Tomorit. Kjo është shenjë e mirë që punët në vitin që vjen do të shkojnë më mirë për vendin tonë dhe në të gjitha hapësirat tona, me ndihmën e Abaz Aliut”.
“Ndaj edhe ne mblidhemi çdo vit këtu në malin e Tomorit për të nderuar jo vetëm këtë figurë të shenjtë, por për të nderuar të gjithë ato legjenda, personalitete dhe baballarë, të cilët përmes bektashizmit bënë dhe bëjnë më të mirën për Shqipërinë dhe për çështjen tonë kombëtare”, shtoi ai. /atsh