Presidenti Ilir Meta ka replikuar me kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili deklaroi gjatë ditës se shumica po “i bën gati letrat e pensionit”.
“Kërcënimi i fundit, që vjen përmes Tao Taos, nga bandat e Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë ka vetëm një përgjigje: Presidenti, gati për të firmosur Dekretin për mbrojtjen e Republikës! Shqipëria e Shqiptarëve! Vdekje tradhtarëve”, shkruan Meta në Facebook.
Më herët, Balla tha se askush nuk priste që Meta të mbante fjalën dhe të jepte dorëheqjen, por sapo të mbarojë procesi i numërimit, do t’i bënin gati “letrat e pensionit”.
Para zgjedhjeve, Meta kishte deklaruar që, nëse Rama do të fitonte zgjedhjet, qoftë edhe me 71 mandate, ai do t’i jepte edhe mandatin e presidentit. Gjatë ditës, zëdhënësi i tij, Tedi Blushi tha se Meta do të jepte dorëheqje nëse fitorja e Ramës do të ishte demokratike, diçka që, sipas tij, nuk kishte ndodhur.