Presidenti Ilir Meta i ka bërë thirrje politikës, që të reflektojë dhe të ulet për të dialoguar me artistët, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje lidhur me çështjen e Teatrit Kombëtar.
Nga salla e Teatrit Kombëtar, ku ishte i pranishëm sot në ekspozitën e Avni Delvinës, Kreu i Shtetit tha se duhen zgjidhur të gjitha sfidat në mënyrë të arsyeshme, larg interesave okulte, por në interes të qytetarëve dhe të së ardhmes sonë.
Sipas Metës, nuk mund të ketë Shqipëri evropiane, pa identitetin e saj kulturor dhe kombëtar.
“Unë nuk kam bërë asgjë tjetër në çështjen e Teatrit Kombëtar, veçse kam mbrojtur Kushtetutën, identitetin kombëtar. Është e domosdoshme që të gjithë të reflektojnë dhe të dialogojnë, si një shoqëri e emancipuar, për të zgjidhur të gjitha sfidat në mënyrë të arsyeshme dhe me transparencë, larg interesave okulte, në interes të qytetarëve dhe të së ardhmes sonë.
Është detyra jonë që në këto kohë të përforcojmë vlerat e shoqërisë sonë, në mënyrë që ne të ecin të sigurt drejt evropianizimit të përditshëm të shoqërisë sonë. Nuk mund të ketë një Shqipëri evropiane, pa identitetin e saj kulturor e kombëtar”, u shpreh Meta.