Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka komentuar konfliktin e krijuar mes autoriteteve qendrore e vendore me banorët e “Unazës së Re”, banesat e të cilëve janë parashikuar të prishen.
I ftuar sot në një nga emisionet televizive të mbrëmjes, ndër të tjera, Meta ka thënë se po e ndjek me vëmendje situatën, duke theksuar se “veprat publike duhet të realizohen në mënyrën më transparente dhe më ligjore, por sigurisht që edhe qytetarët, të cilët preken, duhet të marrin një zgjidhje të drejtë, gjithmonë në përputhje me ligjin dhe me Kushtetutën”.
“Kam kërkuar, në bazë të Kushtetutës, informacion nga institucionet përgjegjëse lidhur me situatën konkrete të projektit, të të gjitha fazave ligjore, të miratimit të tij dhe të zbatimit të tij e të impaktit që ai do të ketë. Ndoshta sot ka ardhur për herë të parë, pas disa javësh, nuk mund të bëj dot një llogaritje të saktë të ditës, që kur është bërë një reagim i tillë zyrtar dhe janë bërë kërkesat, një përgjigje nga ARRSH-ja, të cilën ende nuk e kam parë, për arsye se jam këtu në studio me ju. Por do të na duhet të kemi të gjithë informacionin për të bërë një vlerësim më të plotë lidhur me transparencën e këtij projekti, lidhur edhe me përgjegjshmërinë për t’i dhënë një zgjidhje të drejtë”, tha Meta.ATSH