“Ky teatër që kemi sot është i pandreqshëm. Është turp që Teatri Kombëtar i Shqipërisë ka ngelur në atë ndërtesë të ndërtuar që në kohën e Italisë. Qysh në vitin 1966, drejtuesve të asaj kohe i është kërkuar një teatër i ri, që fatkeqësisht nuk u ndërtua kurrë”
Rama në Facebook:
Mihallaq Luarasi, regjizori i famshëm i Teatrit Kombëtar, u kthye në shënjestrën e pamëshirshme të diktaturës komuniste, gjatë gjuetisë së egër të shtrigave që Enver Hoxha shpalli në vitet ‘70, kundër artit e kulturës së degjeneruar perëndimore.
Ai u linçua publikisht nga vetë diktatori komunist dhe u cfilit burgjeve, duke hyrë në librat e gazetat e propagandës enveriste, si një dele e zezë e regjimit totalitar. Ai sot nuk jeton më, por e ka lënë pak vite më parë amanetin e tij për Teatrin Kombëtar.
MIHALLAQ LUARASI:
Ky teatër që kemi sot është i pandreqshëm. Është turp që Teatri Kombëtar i Shqipërisë ka ngelur në atë ndërtesë të ndërtuar që në kohën e Italisë. Qysh në vitin 1966, drejtuesve të asaj kohe i është kërkuar një teatër i ri, që fatkeqësisht nuk u ndërtua kurrë.
Duhet më shumë vëmendje për Teatrin Kombëtar, nuk duhet një rikonstruksion i tij, por ndërtimi i teatrit të ri. Më 1966 në Teatrin Kombëtar, kur ishte gjallë dhe aktori i madh Naim Frashëri, rastësisht u takuam në oborr me Manush Myftiun, anëtar i byrosë politike atë kohë. Naimi i tha:
“Nuk po mendon partia për një teatër të ri?”, ndërsa përgjigja e Manush Myftiut ishte: “Naim, nipat tanë të ndërtojnë një teatër të ri, ne nuk kemi mundësi, presim nga nipat tanë”. Pra ne jemi ata që sot duhet ta ndërtojmë një teatër të ri kombëtar.