Milan është rikthyer për të paktën përkohësisht në vendin e dytë dhe zonën Champions League, pasi ‘djalli’ ka mposhtur pastër 2-0 Benevento-n për llogari të javës 34 të Seria A. Skuadra e drejtuar nga Pioli zhbllokoi që në minutën e 6 rezultatin falë Calhanoglu që nuk fali brenda zonës pas një aksioni të bukur. Më tej edhe pse iu donin pikët për mbijetesë Benevento nuk arriti t’i bënte keq ‘djallit’, i cili në pjesën e dytë dyfishoi me Hernandez, që vulosi edhe shifrat përfundimtare.
Sakaq më herët Interi mposhti 0-2 Crotone-n, duke marrë një fitore e cila sot mund ta shpallë matematikisht kampion pas 11 vitesh në rast se Atalanta nuk fiton kundër Sassuolo-s. Për zikaltërit në këtë sfidë realizuan Eriksen që erdhi nga stoli, ndërsa në minutat shtesë dyfishoi Hakimi.
Ndërkohë në La Liga lufta për titullin kampion vijon të jetë tepër e nxehtë. Real Madrid është rikthyer te fitoret pasi ka mposhtur 2-0 Osassuna-n. Në Alfredo Di Stefano Stadium fillimisht realizoi Militao, ndërsa katër minuta më pas dyfishoi braziliani tjetër Casemiro.
Tre pikët ka marrë edhe Atletico Madrid që ka mposhtur minimalisht 0-1 Elche-n. Golin e fitores e realizoi Llorente në minutën e 23 të sfidës. Ky rezultat i siguron të paktën edhe për një javë kreun skuadrës së Simeones, që udhëheq me 76 pikë, 2 më shumë se Real Madridi i vendit të dytë.