Nuk ka dyshim, Milani tashmë është kampione e Italisë. Kuqezinjve i janë dashur 11 vite pritje për të marrë trofeun, duke mundur Sasuolon me rezultatin 3 me 0.
Skuadrës kuqezi i mjaftonte edhe një barazim për të siguruar trofeun, pasi kishte një avantazh prej dy pikësh ndaj Interit dhe epërsinë në duelet direkte. Por skuadra e Piolit hyri në fushë me objektivin e qartë të kërkimit të një fitoreje dhe me Leaon që krijonte e Zhiru të pagabueshëm para portës, ia doli të çonte shpejt shifrat në 2-0, me Konsiljin i cili u desh të bënte mrekullinë disa herë për të evituar një goleadë edhe më të thellë.
Gjithsesi, në fundin e pjesës së parë erdhi edhe goli i Kesi, i cili çoi shifrat në 3-0.
Në fraksionin e dytë të lojës, nuk ndryshoi thuajse asgjë edhe për shkak të ndryshimeve të vazhdueshme në fushën e lojës nga të dy skuadrat. Kështu, u prit vetëm vërshëllima përfundimtare që ktheu titullin përsëri në duart e kuqezinjve.