Militantët e Bashës tentuan t’a godasin, reagon ashpër Bardhi: Sjellje prej grupi paramilitar!

Pak orë pas situatës së tensionuar në të cilën u gjend pas daljes nga mbledhja e Kryesisë, ku militantë të Lulzim Bashës tentuan të godasin atë, Saimir Korreshin dhe Dashnor Sulën, ka reaguar ashpër kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi.

Me anë të një reagimi në rrjetet sociale, Bardhi shprehet se “dhuna verbale, presioni dhe shantazhi kundër deputetëve të PD që mendojnë ndryshe nuk janë mjete politike”.

Duke dënuar dhunën ndaj tij dhe deputetëve demokratë, Bardhi shprehet se sjellja e mbrëmjes së djeshme i ngjan asaj të një grupi paramilitar dhe kërkon nga kolegët e tij të shprehen kundër saj.

“Kjo sjellje prej grupimi paramilitar hedh në erë bashkëjetesën brenda kësaj force politike dhe dërrmon në mënyrë përfundimtare besimin e qytetarëve tek PD.

Duke dënuar me forcë aktet e dhunës kundër deputetëve të PD, anëtarëve të Kryesisë dhe gazetarëve, u kërkoj secilit kolegë të distancohen publikisht prej tyre. Përmes dhunës, presionit dhe shantazhit nuk ndërtohet asgjë afatgjatë, në interes të demokratëve dhe të Shqipërisë”, shprehet Bardhi.

Loading...