Mimoza nga Vlora surprizon njerkën dhe babain në studion e “Ka një mesazh për ty”

Mimoza është nga qyteti i Vlorës, por jeton prej vitesh në Francë. Sot ajo ndodhet në studion e “Ka një mesazh për ty” për t’i shprehur vlerësimin dhe dashurinë babait dhe njerkës së saj.

Mimoza e humbi nënën disa vite më parë. Babai u martua dhe të 5 fëmijët e mirëpritën bashkëshorten e tij Valbonën në familje. Por Mimoza thotë se prej disa kohësh ka diçka që nuk funksionon siç duhet në marrëdhënien e saj me babain dhe pikërisht për këtë ajo ka ftuar në studio të atin dhe bashkëshorten e tij.

“Para 17 vjetëve, në vitin 2001 ne kemi humbur mamin në moshën 50-vjeçare. Për 4-5 vjet babai qëndroi vetëm, sepse unë me motrën jetojmë në Francë, ndërsa vëllezërit janë të martuar. Ne jemi 3 djem dhe 2 vajza. Pas 4 viteve babai u martua dhe lindën një princ të vogël që sot është 11 vjeç dhe quhet Kevin”.

Mimoza tregon se kur babai vendosi të martohej, fillimisht ishin disi të trishtuar, pasi dikush tjetër po zinte vendin e nënës së tyre, megjithatë ajo thotë se dashuria për babain dhe dëshira që ai të ishte sërish i lumtur bëri që gjithçka të kalonte.

“Në fillim kemi qenë pak të trishtuar, po normale menduam sesi ishte e mira për babain tonë, që nuk mund ta linim dot vetëm. Ishte i detyruar, nuk mund të qëndronte dot me ne. Donte ngrohtësi, përkrahje. Kur vd.iq mami, babai ishte 55-vjeç. Nuk pati ftohje mes nesh, madje atë ditë që është martuar, kam qenë unë ajo që ia kam bërë dhomën e gjumit. Ndjeja pak trishtim shpirtëror, por nga ana tjetër isha e lumtur, ngaqë e shikoja të trishtuar më përpara babain dhe thoja do të ndryshojë gjithçka. Dhe në të vërtetë ndryshoi”, tregon Mimoza ndërsa shton: “Por këto dy vitet e fundit nuk e di përse babai është i trishtuar. Është pak i trishtuar, pak i ftohtë, të dyja bashkë”.

Mimozës i duket sikur babai është larguar dhe nuk arrin të kuptojë përse. Ajo thotë se më parë flisnin më shpesh në telefon, ndërsa kohët e fundit flasin 1 herë në muaj. Sa i përket njerkës, ajo thotë se është shumë e respektueshme: “Unë nuk mund t’i them dot njerkë, e kam pak si motrën e madhe”.

Babai i Mimozës nuk e di që ajo ndodhet në Shqipëri, pasi i ka thënë se ndodhet në Portugali. Ftesës për të qenë në studio, bashkëshortët Veliu dhe Valbona iu përgjigjën pozitivisht. Të ndodhur në studion e “E Diela Shqiptare”, reagimi i tyre sapo panë kush ishte në anën tjetër të ekranit ishte i menjëhershëm, atyre iu mbushën sytë me lot.

“Babi të kam thënë që kam ikur në Portugali, por nuk është e vërtetë. Kam ardhur sot këtu për ju të dy. Sot e kam marrë rrugën për ju të dy, sepse kemi 4 vjet që nuk e kemi festuar Vitin e Ri bashkë. Më duket sikur këto kohët e fundit, nuk e di, këto 1 apo 2 vjet, sikur jemi ftohur pak. më parë kemi qenë shokë, nuk e di në është reale apo jo. Dhe këto kohët e fundit të shikoj pak të trishtuar dhe dua që të dish që ne fëmijët e tu të kemi në zemrën tonë, me të gjitha hallet që ke hequr në jetë dhe aq më keq në 2001 me çfarë ka ndodhur. Unë këtë vit thashë do mbyll derën e shtëpisë time dhe dua që të festojmë Vitin e Ri dhe Krishtlindjen bashkë. Krishtlindjen e kam më shumë për Valbonën dhe Mandalenën se janë katolike. Dua të kemi atë dashurinë që kemi pasur më parë, jo se nuk e kemi, por këto kohët e fundit ke qenë pak larg. Dhe me Valbonën kam folur herën e fundit dhe më tha çfarë t’i them, nuk e di përse është kështu. Edhe Mandalena më ka thënë fol me babain”.

Pasi e dëgjuan Mimozën, të dy bashkëshortët e siguruan atë që nuk ka ndodhur asgjë dhe se e duan atë shumë.

“Nuk jam i ftohtë, jam shumë i afruar dhe i dua njëlloj njerëzit. Ndoshta të duket edhe nga largësia. Edhe hallet tona janë pak të shumta, edhe jeta është pak e vështirë dhe mblidhen të gjitha”, tha babai i saj.

“Të falenderojmë shumë, shumë, edhe të duam shumë, ty edhe të gjithë”, tha Valbona.

Loading...