Për herë të parë ky ministerial i zhvilloi punimet në një mbledhje online.
E pranishme ishte edhe ministrja shqiptare e Mbrojtjes Olta Xhaçka e cila tha se COVID-19 është kërcënim dhe sfidë serioze për sigurinë e Aleancës.
Po ashtu, ajo shprehu solidaritetin me të gjithë aleatët për humbjet në njerëz si rezultat i pandemisë.
“Mirënjohje për ‘ushtrinë e bardhë’ të angazhuar në vijën e parë kundër armikut të padukshëm. Pandemia gjeti të papërgatitur edhe vendet me ekonomi më të mëdha se Shqipëria. Ekspertiza dhe disiplina e FA-së kanë rol në përballimin e pandemisë”, tha Xhaçka.
Xhaçka u shpreh se uniteti politik dhe solidariteti janë mesazhi që Aleanca duhet të tregojë tani.
“Është koha për të reflektuar se çfarë duhet bërë më mirë. Të rigjenerojmë diplomacinë publike kundër fushatës dezinformuese dhe lajmeve të rreme. Me solidaritet do ia dalim të përballojmë sfidat e ashpra, pasojë e pandemisë. Kemi aftësinë, burimet dhe motivim për të bashkuar forcat.”