Në fokus të urdhërit janë ata shtetas shqiptarë që nuk plotësojnë kushtet e udhëtimit për hyrjen dhe qëndrimin në vendet e Bashkimit Evropian dhe zonës Schengen.
Forcimi i kontrollit, sipas urdhërit të ministrit, bëhet duke kryer verifikime dhe intervistime të detajuara, për:
a) adresën e saktë të akomodimit në vendin e destinacionit ku do të shkojë;
b) ftesën e pritësit në vendin e destinacionit (që përmban të dhënat, kontaktet e pritësit);
c) biletën apo rezervimin për kthimin;
d) mjetet financiare për mbulimin e shpenzimeve për kohën e qëndrimit.
Referuar urdhërit, në funksion të kontrollit dhe verifikimit kufitar, ndaj të gjithë shtetasve shqiptarë që kanë shënime, njoftime dhe informacione të autoriteteve ligjzbatuese, të shfaqura automatikisht ose me kërkim në sistemet elektronike, si dhe ato që vijnë në formë shkresore, është e nevojshme kryerja e një kontrolli dhe verifikimi kufitar të vijës së dytë minimal ose tërësor, sipas rastit, apo të kalohet në verifikim të hollësishëm.
“Të gjithë shtetasit shqiptarë të kategorisë “Inad”, gjatë dy viteve të fundit, nga data e paraqitjes në Pikat e Kalimit Kufitar, për shkak të masës së ndalimit të hyrjes në zonën “Schengen”, me arsyetimin “Për informacione në SIS”, “Refuzim azili”, dhe “Rrezik për sigurinë publike” dhe të gjithë shtetasit shqiptarë të kategorisë “Deportiv” gjatë tre viteve të fundit, nga data e paraqitjes në PKK, për shkak të çdo lloj arsye dhe janë të regjistruar në sistemin TIMS si të tillë, të mos lejohen të kalojnë kufirin shtetëror deri në paraqitjen e një dokumenti shkresor, të përkthyer në gjuhën shqipe dhe të noterizuar, që provon se nuk kanë ndalim hyrje, urdhër largimi ose dëbimi në vendet e Bashkimit Evropian dhe zonën Schengen” shkruhet në urdhërin e ministrit, raporton SCAN.
Të gjithë shtetasit shqiptarë që kanë shënime apo njoftime në sitemin TIMS dhe informacione të autoriteteve ligjzbatuese, për vepra penale (të trafikimit, falsifikimit të dokumenteve, kontrabandës etj.), të kalojnë për kontroll në vijën e dytë për dokumentet e udhëtimit, sendet dhe mjetet e transportit.
Kur shtetasit paraqesin dokumente justifikuese, administrative apo gjyqësore, që provojnë se nuk ka pengesë për të udhëtuar në vendet e Bashkimit Evropian dhe zonën Schengen roja kufitare në Pikën e Kalimit Kufitar të bëjë shënimet përkatëse në sistemin TIMS te rubrika “Shënime”. Një kopje origjinale ose fotokopje e njësuar me origjinalin e dokumentit justifikues, të përkthyer në gjuhën shqipe dhe të noterizuar, administrohet në Pikën e Kalimit Kufitar për një periudhë 2-vjeçare.
Në të gjitha rastet e kthimeve të shtetasve shqiptarë, si “Inad” dhe “Deportiv”, bazuar në dokumentet që posedojnë apo të intervistimit në rastet kur ai mungon, të bëhen shënime në TIMS, në rubrikën “Shënime” për arsyen e kthimit dhe afatin e ndalimit të hyrjes në vendet e Schengenit/BE-së duke zbatuar procedurat e punës për regjistrimin në sistemin TIMS.
Në rastet që shtetasit shqiptarë nuk lejohen të dalin nga kufiri shtetëror, deri në plotësimin e kushteve të përcaktuara në këtë urdhër, të zbatohet procedura standarde për regjistrimin në sistemin TIMS në modulin “Shënime”, duke reflektuar arsyet e moslejimit të përkohshëm të daljes, në aktin përkatës, sipas përcaktimeve të mëposhtme:
a) nuk ka dokumentacionin e duhur që justifikon qëllimin e udhëtimit dhe kushtet e qëndrimit;
b) ka qëndruar më shumë se 90 ditë në 180 ditët e fundit, në territorin e zonës Schengen;
c) nuk ka mjete të mjaftueshme jetese (financiare) për periudhën, kohën dhe mënyrën e qëndrimit, ose mjete finaciare për kthimin në Shqipëri;
d) është person për të cilin rezulton njoftim/informacion në sistem.
Urdhëri parashikon gjithashtu forcimin e kontrollit në kufi, ndaj operatorëve turistikë (linja autobuzësh, zyra turistike etj.), grupe familjarësh, me qëllim parandalimin e rasteve të abuzimit me të drejtën e lëvizjes së lirë dhe goditjen e organizatorëve të këtyre udhëtimeve me destinacion vendet e Bashkimit Evropian.
Ky urdhër i ri, shfuqizon urdhërin e mëparshëm të vitit 2017 që mbante firmën e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
SCAN