Ministria e Mbrojtjes ka dhënë detaje për situatën e zjarreve në vend. Ministria bën me dije se është riaktivizuar zjarri në fshatin Thirrë të Mirditës, ku për shkak të erërave të forta është bërë e rrezikshme ndërhyrja e zjarrfikëses.
Sipas MM, situata vijon të mbetet ende kritikë në majën e Rrunës, te “Laku i Mollave” pasi është e vështirë të ndërhyhet nga toka. Gjatë ditës së sotme është punuar nga ajri. Nuk rrezikohet tuneli dhe banesa. Ndërkohë, vijon puna për shuarjen e zjarrit në Malin e Tërbunit në Pukë, ku sot kanë ndërhyrë dy helikopterët holandezë. Vatra aktive ka gjithashtu, në Lezhë, Kolonjë, Tepelenë, Dropull etje.
Njoftimi i plotë:
Situata e zjarreve në vend
Zjarri në fshatin Patalej, njësia administrative Kolsh, bashkia Lezhë për shkak të erës së fortë është përhapur në drejtim të verilindjes, duke kaluar nga ana tjetër e rrugës kryesore që ndodhet në Patalej. Situata nuk paraqet rrezik për zonat e banuara, por rrezikshmëri në përhapje të perimetrit të saj në një sipërfaqe me shkurre dhe pemë të ndryshme. Situata po ndiqet nga forcat në terren.
Zjarri në fshatin Thirrë, njësia administrative Fan, bashkia Mirditë është riaktivizuar. Është djegur sipërfaqe pyjore me shkurre dhe dushqe. Sot zjarri është përhapur nga erërat e forta duke e bërë të rrezikshme ndërhyrjen e forcave. Në ndihmë për shuarjen e zjarrit kanë shkuar 50 forca ushtarake dhe 2 mjete zjarrfikëse nga Forcat e Armatosura. Gjatë ditës ka punuar edhe Helikopteri çek. Vatra e zjarrit ka përshkuar një sipërfaqe të madhe rreth 150 ha dhe djegur 90 ha me ahe, pishë, barishte dhe dushqe. Nuk ka rrezik për zona të banuara.
3.Në “Majën e Rrunës”, Laku i Mollave dhe Laku i Thive, njësia administrative Malzi, në Kukës ka vijuar puna për shuarjen e vatrave të zjarrit në vendin e quajtur “Laku i Mollave”. Situata vijon të mbetet kritike, pasi është e vështirë të ndërhyhet nga toka. Gjatë ditës së sotme është punuar nga ajri. Nuk rrezikohet tuneli dhe banesa.
4.Në fshatin Mbreshtan, bashkia Kolonjë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore me shkurre dhe pisha. Situata është më e qetë, por vazhdon zjarri brenda pjesës së djegur.
Vijon puna për shuarjen e zjarrit në Malin e Tërbunit, bashkia Pukë. Flakët kanë përshkuar rreth 20 hektarë sipërfaqe me pyje e shkurre. Nga toka po punojnë 25 forca te armatosura dhe 35 forca te tjera zjarrfikëse, shërbimi pyjor dhe të njësisë administrative. Nga ajri kanë punuar dy helikopteret hollandezë. Aktualisht në pjesën veriore nga kurora e qytetit Pukë zjarri është drejt izolimit. Po punohet në pjesën tjetër të vatrës për të vënë situatën nën kontroll. Por, pavarësisht punës së bërë ditën e sotme, për shkak të kushteve atmosferike rrezikon kalimi i zjarrit në kurorën e qytetit Pukë.
Sipas informacionit nga EC F.Arrëz është riaktivizuar vatra e zjarrit në Fletë, ku po punohet për izolimin e saj. Në terren janë rreth 60 punonjës të pyjeve dhe njësisë administrative që po punojnë për shuarjen dhe izolimin e tij, pavarësisht kushteve të terrenit dhe erës së fuqishme, të cilat e bëjnë të vështirë ndërhyrjen. Zjarri rrezikon të kalojë në fshatin Kryezi. Një vatër zjarri është raportuar në sipërfaqe me shkurre në fshatin Martallos Lab, nj.ad Lopës në Tepelenë. Në vendngjarje forca të shërbimit zjarrfikës,bashkiake e vullnetarë.
8.Situata u përkeqësua gjatë pasdites në vatrën e zjarrit në fshatin Radat në Dropull, e cila ishte stabilizuar gjatë ditës. Situata mund të rrezikojë banesat. Policia dhe zjarrfikësit kanë marrë masat për sigurimin e banesave. Në ndihmë ka shkuar edhe FA për vënien nën kontroll të situatës. Raportohet riaktivizim i vatrës edhe në pyllin e Shetaj në Durrës, ku gjithashtu po punohet nga zjarrfikësit. Një vatër tjetër zjarri raportohet në fshatin Kocul, në njësinë administrative Vllahinë në bashkinë Selenicë. Zjarri nuk paraqet rrezik.
Një zjarr ka përfshirë një pyll me pisha në njësinë administrative Shezë në bashkinë Peqin, por pa rrezik. Në zonën e Porcelanit, në Tiranë ka rënë një zjarr në një sipërfaqe me shkurre, ku po punohet nga ana e zjarrfikësve për shuarjen e tij. Në lagjen Sauk i Vjetër, mbrapa Pallatit të Brigadave në Tiranë është raportuar një zjarr, për shuarjen e të cilit janë angazhuar forcat zjarrfikëse dhe shërbimet vendore.
14.Një zjarr është raportuar në fushën e Selenicës, në Bekovë, në ara të korrura, pa rrezik.
Zjarri ka përfshirë një sipërfaqe me ah, livadhe dhe kullota në fshatin Kacni dhe Qafë Murrë, njësia administrative Selishte, në Dibër. Po punohet për izolimin e tyre, pavarësisht kushteve të terrenit dhe erës së fuqishme që e bëjnë shumë të vështirë ndërhyrjen.