Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka gradon dy Gjeneralë

Në mjediset e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura u zhvillua ceremonia e promovimit në gradë të gjeneralmajor Nazmi Cahani me detyrë komandant i Forcës Tokësore, si dhe gjeneral brigade Albert Mullai me detyrë komandant i Akademisë së Nënoficerëve, të cilëve iu akordua grada madhore me dekret të presidentit të Republikës dhe me propozim të ministres së Mbrojtjes.

Në fjalën e tij të hapjes, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku pasi foli për karrierën dhe kontributin e jashtëzakonshëm të gjeneralëve Cahani dhe Mullai në shërbim të Forcave të Armatosura, i uroi suksese të mëtejshme.

Ministrja e Mbrojtjes në fjalën e saj u shpreh se të dy ushtarakët me marrjen e gradave respektive janë vlerësuar për atë çfarë kanë arritur në detyrat që kanë mbajtur vitet e fundit dhe i inkurajoi që të vazhdojnë punën me të njëjtin përkushtim dhe seriozitet. Më tej, znj. Xhacka i uroi gjeneralmajor Cahanit dhe gjeneral brigade Mullait suksese në vijimin e karrierës.

Gjeneralmajor Nazmi Cahani, një njeri me vlera dhe karrierë të jashtëzakonshme. 32 vite në shërbim të Forcave të Armatosura, një profesionist i shkëlqyer që ka përmbushur me sukses misionin dhe detyrat që kanë Forcat e Armatosura. Në fjalën e tij, gjeneralmajor Cahani falënderoi ministrin e Mbrojtjes dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm për besimin dhe mbështetjen që i kanë dhënë dhe i siguroi të pranishmit se do të vijojë punën me po të njëjtin përkushtim siç ka bërë deri tani.

Gjithashtu, gjeneral brigade Albert Mullai është vlerësuar maksimalisht, në karrierë, në arritjet akademike, por dhe në vlerësimet që ka marrë si ushtarak i suksesshëm gjatë karrierës së tij ushtarake si profesionist i mirë, i zoti, i devotshëm. Suksesi dhe arritjet e gjeneralëve janë të lidhura ngushtë me vlerësimet maksimale, besimin dhe kontributin e stafeve të cilët drejtonin.

Në fjalën e rastit gjeneral brigade Mullai falënderoi ministrin e Mbrojtjes dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm për besimin që i kanë dhënë dhe i siguroi që do ta justifikojë këtë besim me punën dhe përkushtimin e tij.

AAF

Loading...